A po përgatit Trump një pushtim të Venezuelës: Dërgoi disa anije luftarake dhe 4.000 marinsa në Detin e Karaibeve

Me vendim të presidentit amerikan Donald Trump, marina amerikane ka dislokuar disa anije luftarake në Detin e Karaibeve si mesazh për presidentin venezuelian Nicolás Maduro.

Sipas urdhrit të Trumpit, në Karaibe janë dërguar të paktën tre shkatërrues raketorë të klasës Arleigh Burke, një nëndetëse dhe një numër i madh anijesh të tjera ushtarake.

Përveç shkatërruesve, në rajon janë dislokuar edhe rreth 4.000 marinsa në një grup amfib të përbërë nga tri anije.

Ky veprim i Trumpit pasqyron përpjekjet e SHBA-së për të detyruar autoritetet venezueliane, nën udhëheqjen e Nicolas Maduros, të përballen me kartelet e drogës që organizojnë transportin e narkotikëve drejt tregut amerikan.

Nga ana tjetër, Maduro njoftoi të hënën për dislokimin e planifikuar të mbi 4,5 milionë pjesëtarëve të milicive në të gjithë vendin me qëllim luftën kundër karteleve të drogës.

“Perandoria (SHBA) është çmendur dhe ka rinovuar kërcënimet e saj ndaj paqes dhe qetësisë së Venezuelës”, tha Maduro.

Maduro mbetet i shpallur në kërkim nga drejtësia amerikane që nga viti 2020 për narkoterrorizëm dhe trafik droge. Megjithatë, një dislokim i tillë i forcave detare amerikane është i pashembullt.

Me këto forca, SHBA-të janë të afta të kryejnë sulme me raketa lundruese, sulme ajrore nga avionët e aeroplanmbajtëseve, madje edhe zbarkim të marinsave në tokën venezueliane.

Kategoritë
BotaLajme