A po duket se po e humb Izraeli “mburojën politike” të Berlinit: Gjermania për herë të parë kaq ashpër kundër Tel Avivit

Gjermania të enjten shprehu hapur kundërshtimin ndaj planit të Izraelit për ndërtimin e një vendbanimi hebre në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe pengesë serioze për arritjen e një zgjidhjeje të konfliktit izraelito-palestinez mbi bazën e dy shteteve. Lajmin e përcollën agjencitë AFP dhe DPA.

Në deklaratën zyrtare, Ministria e Jashtme gjermane theksoi se Berlini “pa mëdyshje refuzon çdo plan aneksimi” nga ana e qeverisë izraelite.
“Ndërtimi i vendbanimeve bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha zëdhënësi i diplomacisë gjermane, duke shtuar se plani i miratuar e vështirëson zbatimin e formulës së dy shteteve dhe “përfundimin e pushtimit izraelit të Bregut Perëndimor, siç kërkon Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.

Gjermania u bëri thirrje autoriteteve izraelite të ndalojnë menjëherë ndërtimin e vendbanimeve dhe theksoi se njeh vetëm ato ndryshime kufijsh pas 4 qershorit 1967 për të cilat palët bien dakord.

Këtë projekt ndërtimi e miratoi të enjten ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, një figurë e krahut të djathtë radikal, duke thënë se është përgjigje ndaj vendimit të disa shteteve për të njohur shtetin palestinez. Ai pohoi gjithashtu se me planin janë dakord edhe kryeministri Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump, megjithëse asnjëri prej tyre nuk është shprehur publikisht për këtë pretendim.

Projekti parashikon ngritjen e një lagjeje të re në vendbanimin Ma’ale Adumim me rreth 3.400 njësi banimi në zonën e njohur si E1.
Kjo zonë ka ngjallur prej kohësh shqetësime, pasi ndarja e saj do ta shkëpuste Bregun Perëndimor në një pjesë veriore dhe një jugore, duke pamundësuar krijimin e një territori palestinez të pandërprerë që do të lidhte Jerusalemin Lindor me Betlehemin dhe Ramallahun – zonë që palestinezët e shohin si zemrën e shtetit të tyre të ardhshëm.

Në Bregun Perëndimor aktualisht jetojnë rreth 3 milionë palestinezë dhe afërsisht 500 mijë kolonë izraelitë.

Plani i Izraelit është kritikuar gjithashtu nga OKB-ja, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Arabia Saudite.

Kategoritë
BotaLajme