Imazhet satelitore, të siguruara nga media Iran International, tregojnë për dëmtime të mundshme në qendrën e avancuar të komunikimit brenda bazës ushtarake amerikane Al Udeid në Katar, e cila u bë objekt i sulmit raketor iranian më 23 qershor. Nëse autentikohen imazhet, kjo do të ishte dëshmia e parë konkrete se baza—që përfaqëson ndërtimin ushtarak më të madh amerikan në Lindjen e Mesme dhe selinë e Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM)—përjetoi dëmtime fizike gjatë përleshjeve midis Iranit dhe Izraelit muajin e kaluar.
Në videoserialin satelitor të datës 24 qershor, të siguruar nga kompania amerikane Satellogic, shihet se kupola e bardhë gjeodezike, që mbron terminalin e modernizuar të komunikimit (MET), është shndërruar në një njollë të errët, çka tregon për dëmtim të mundshëm.
Terminali MET, me vlerë 15 milionë dollarë, u instalua në vitin 2016 si sistemi i parë i këtij lloji jashtë SHBA-së, dhe ofron komunikim të sigurt audio, video dhe të dhëna për forcat amerikane në rajon. Forca Ajrore Amerikane atëherë theksoi se sistemi përmban teknologji kundër ndërhyrjes në sinjal. Ushtria amerikane nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës për koment të Iran International lidhur me publikimin e videoserialit.
Sulmi mbi bazën Al Udeid erdhi si përgjigje ndaj sulmeve ajrore amerikane mbi tre impiante bërthamore iraniane—Fordow, Natanz dhe Isfahan—të kryera një ditë më parë, në fazën përmbyllëse të luftës 12-ditore midis Iranit dhe Izraelit. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, atëherë deklaroi se me këtë sulm “është shkatërruar” programi bërthamor iranian. Pas sulmit, CENTCOM njoftoi se forcat amerikane dhe katariote “suksesshëm rrëzuan raketat balistike iraniane që synonin bazën Al Udeid”. Trump, në platformën e tij Truth Social, sulmin iranian e përshkroi si “shumë të dobët”, duke thënë se 13 raketa u rrëzuan, ndërsa njëra u “lejua” të fluturonte sepse drejtimi i saj nuk kishte për të shkaktuar dëme.
“Jam jashtëzakonisht i gëzuar që mund të raportoj se asnjë amerikan nuk u lëndua dhe që dëmi është minimal,” tha Trump, duke shtuar se shpreson që tani Irani dhe Izraeli do të ndjekin rrugën e paqes dhe harmonisë. Ai gjithashtu falënderoi Iranin për “paralajmërimin e hershëm”, që sipas tij, bëri të mundur shmangien e viktimave.
Sipas raportit të Iran International, Irani i lajmëroi më parë SHBA-në dhe Katarin për sulmin që po vinte përmes dy kanaleve diplomatike disa orë para ekzekutimit. Po ashtu, edhe Izraeli u informua në kohë.
Analisti i sigurisë dhe mbrojtjes në Institutin e Uashingtonit, Farzin Nadimi, tha se dy bateri amerikane të sistemit Patriot, së bashku me sistemet katariote, ishin angazhuar në mbrojtjen e bazës. Ai shtoi se mund të ketë qenë edhe një dron iranian pjesë e sulmit, që ndoshta arriti të kalojë ndërkohë që sistemet Patriot ishin duke interceptuar projektilet balistike.
Sulmi nuk shkaktoi viktima midis personelit amerikan, thanë dy zyrtarë të SHBA-së për Reuters, dhe Shtetet e Bashkuara nuk iu përgjigjën me forcë ushtarake. Trump shpalli menjëherë një ndërprerje zjarri, e cila mbetet ende në fuqi.