A e ka lëshuar Netanyahu Izraelin? Avioni “Krahët e Sionit” në ajër, i shoqëruar nga avionë luftarakë

Avioni “Krahët e Sionit” (Wing of Zion), i cili përdoret për udhëtimet zyrtare të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është ngritur në mëngjesin e sotëm nga Izraeli dhe shoqërohet nga dy avionë luftarakë izraelitë, raporton i24NEWS.

Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht se Netanyahu ndodhet në bord, rrethanat tregojnë fuqishëm se ai mund të jetë evakuuar për arsye sigurie pas sulmit të madh ajror të Izraelit mbi objektivat në Iran.

Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme për destinacionin e avionit.
Përpara sulmit iranian me raketa dhe dronë më 13 prill 2024 ndaj Izraelit, “Wing of Zion” ishte ngritur nga baza ajrore Nevatim, e cila më pas u bë objektiv i një sulmi.

Fluturimi ndodhi pas dy valëve të ndara të sulmeve izraelite në gjashtë lokacione në pesë qytete iraniane, përfshirë Teheranin, Natanzin dhe Tabrizin. Shënjestra ishin objektet bërthamore dhe liderët ushtarakë iranianë. Në këto sulme u vranë të paktën dy shkencëtarë bërthamorë të rangut të lartë dhe një komandant i Gardës Revolucionare.

Pas sulmit, Netanyahu e quajti atë “një goditje fillestare të suksesshme” dhe paralajmëroi se do të pasonin rezultate të tjera. Sipas burimeve, avioni ka fluturuar mbi Mesdhe dhe më pas ka fikur transponderin, duke shtuar spekulimet për natyrën sekrete të misionit.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar hakmarrje, duke e quajtur sulmin izraelit “akt të qartë lufte”, ndërsa Arabia Saudite, Australia dhe Zelanda e Re kanë dënuar agresionin izraelit. Tensionet në Lindjen e Mesme kanë arritur kulmin, ndërsa bota pret me ankth hapat e ardhshëm.

Kategoritë
BotaLajme