Baza ushtarake të ushtrisë amerikane janë vendndodhjet më të zakonshme ku zhvillohen takimet dhe negociatat diplomatike të nivelit më të lartë, duke ofruar, krahasuar me objektet civile, një shkallë të lartë masash sigurie si dhe kapacitete logjistike.
Pritja e takimit të presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në bazën ajrore Elmendorf – Richardson konfirmon edhe një herë traditën e mikpritjes diplomatike amerikane.
Që nga periudha e Luftës së Ftohtë, shumica e negociatave diplomatike në nivelin më të lartë, si ato të drejtpërdrejta ashtu edhe ato ndërmjetësuese ku Shtetet e Bashkuara kanë pasur rolin kryesor, janë planifikuar dhe organizuar në baza ushtarake.
Presidenti amerikan Richard Nixon dhe perandori japonez Hirohito u takuan në bazën Elmendorf – Richardson në vitin 1971, takim ky që shënoi herën e parë ndonjëherë që një president amerikan dhe një perandor japonez u takuan.
Vetëm shtatë vite më vonë, në rezidencën presidenciale Camp David që ndodhet brenda një baze të marinës amerikane, u zhvilluan negociatat midis Egjiptit dhe Izraelit nën ndërmjetësimin e presidentit amerikan Jimmy Carter.
Edhe negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen në Bosnje e Hercegovinë në vitin 1995 u zhvilluan në bazën ajrore Wright-Patterson në qytetin Dayton.
Kjo praktikë amerikane gjatë takimeve me shtete rivale, por edhe me aleatë dhe partnerë, ka në fakt shumë përparësi. E para është aspekti i sigurisë, pasi bazat ushtarake sigurojnë nivelin më të lartë të masave të sigurisë që nuk janë të përkohshme. Pra, këto objekte tashmë kanë të instaluara sisteme të mbrojtjes kundërajrore, kundër-elektronike dhe të çdo forme tjetër mbrojtjeje.
Gjithashtu, bazat ushtarake amerikane zakonisht ndodhen larg qyteteve, gjë që e lehtëson kontrollin e zonës më të gjerë. Krahasuar me negociatat që mbahen në qytete, ardhja e delegacioneve të larta në aeroporte civile paraqet një sfidë të veçantë logjistike dhe sigurie, çka e bën përzgjedhjen e bazave ajrore të SHBA-së ideale.
Në kontekstin e organizimit të jetës në bazat ushtarake, aktivitetet e përditshme nuk pengohen nga takimet e delegacioneve të larta, gjë që nuk ndodh në qendrat urbane ku një takim i tillë do të kërkonte ndryshime në qarkullimin rrugor dhe jetën e përditshme të zonës përreth.
Segmenti logjistik i bazave ushtarake është gjithashtu ndër më të rëndësishmit, pasi ato janë të afta të presin një numër të madh njerëzish, gjë që në rastin e takimeve të nivelit të lartë është sfidë për sa i përket akomodimit të delegacioneve, shoqëruesve të tyre të sigurisë, mediave dhe të tjerëve.
Më në fund, takimet në baza ushtarake gjithmonë ofrojnë një mundësi të shkëlqyer për të dërguar mesazhe të fuqishme simbolike, pasi negociatat shpesh zhvillohen pranë hangarëve me avionë luftarakë, bombardues ose pajisje të tjera ushtarake.
Në këtë mënyrë, e gjithë arkitektura e objekteve ushtarake përdoret si një mesazh i drejtpërdrejtë për ta motivuar palën tjetër drejt qëndrimeve më të buta dhe të pranueshme.