350 euro ryshfet: Çka dihet deri më tash për prokurorin e arrestuar në Prizren?

Beqë Shala, prokuror në departamentin e Përgjithshëm në Prizren, u arrestua mëngjesin e sotëm.

Lajmin e bërë të ditur Prokuroria me një njoftim për media. Prokurori dyshohet për marrje të ryshfetit.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës. Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Arrestimi vjen pas një hulumtimi që ishte duke e realizuar Betimi për Drejtësi.

Në disa video-incizime të siguruara nga Betimi për Drejtësi, del se prokurori në vitin 2022 kishte pranuar 350 euro ryshfet, të mos e caktojë paraburgimin për një rast.

Takimi i tyre është zhvilluar më 25 gusht 2022 në veturën e Shalës. Avokatja Berisha në këtë takim dyshohet se i jep ryshfet Shalës 350 euro, për të mos paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, pas ndalimit të klientit të saj për 48 orë.

Avokatja Berisha: Mirë bre mirë a u lodhe ti, qysh po kalon?

Prokurori Shala: Qe ia lëshova vendimin atij, të lirohet menjëherë.

Avokatja Berisha: Po se më thirrën familjarët më tha u kry, se e kishin marrë atë djalin në sabah, se unë kur të thirra qatëherë, se kur të shkrujta faktikisht veç sa shkova në punë. Tani e kishin marrë, ken masdite. Prokuror unë nuk e dita që qeshtu, po të kallxoj realisht unë ja mora atyne dje qysh u mora vesh veç 700 jau kom marrë. Qe ku i kam paret, m’i kanë pru sot. Se a e din qysh ke puna, nuk është që më ka ndodh najherë, qeshtu hera e parë dhe nuk…

Prokurori Shala: Këqyre unë..

Avokatja Berisha: Jo unë qe ku i kam 700.

Prokurori Shala: Njerzit bajnë.

Avokatja Berisha: Ooo e di prokuror unë noshta edhe jom e re, dhe nuk është që më ka ra në qesi situate, tash jena.

Prokurori Shala: Kqyre ishalla ngo, qirak le t’bahet, as unë s’kam asi. A e din kur, mas nja pesë 5 vjete që i pata Beqë, jo mas një vjeti më kanë thanë Beqë- a e din Beqë Shala që njerëzit janë tu marrë parë në emër tanin. Kanë marrë (nuk kuptohet) heeej. S’po thom hallall, po kanë marrë a po kupton. Kanë marrë gjinja, ma kanë ngjit n’dorë, kanë thanë a po e sheh unë fola i dimë na ato, hin zyre e çel derën, thotë qe a po e sheh, a më pave e çela i fola. Le s’po e komplikojmë”.

Këto deklarime citohen në bisedën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”. Tutje, avokatja Berisha numëron paratë, dhe nga shuma prej 700 euro, gjysmën e tyre ia jep prokurorit Shala.

Prokurori Shala: Merre ti pjesën tane (nuk kuptohet).

Avokatja Berisha: Qe prokuror.

Prokurori Shala: Ja jaa

Avokatja Berisha: Jo unë, ti e din.

Prokurori Shala: Merri, merri.

Avokatja Berisha: Jo prokuror, qe 700.

Prokurori Shala: Merri moj.

Avokatja Berisha: Hiç s’është problem.

Prokurori Shala: Merri, merri. Pasha Zotin (nuk kuptohet).

(I numëron paratë)

Avokatja Berisha: 200.

Prokurori Shala: Sa i ki?

Avokatja Berisha: 200.

Prokurori Shala: 250. Sa the?

Avokatja Berisha: 700 unë ja kom marrë deri në fund të procedurës.

Prokurori Shala: Ahaa, këtu ken 200, 350. Hajr i koftë, ishalla ia shohim hajrin.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi