Një ditë pas dështimit për formimin e qeverisë së re, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Riad të Arabisë Saudite.
Një gjë e tillë po konsiderohet e pakuptimtë nga shoqëria civile, meqë sipas tyre e para e vendit do të duhej të qëndronte në Kosovë për t’i ftuar për konsultime partitë politike.
Të njëjtit theksojnë se presidentja Osmani do të duhej t’i niste që sot diskutimet, qoftë edhe përmes shkresave me kryetarët e partive parlamentare, për të parë nëse i garantohet formimi i një shumice të re parlamentare ose dakordimi për datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme.
Në anën tjetër, nga Zyra e Presidencës thanë për KosovaPress, se presidentja Osmani do t’i ftojë partitë politike për konsulta brenda afatit kushtetues. Në bazë të Kushtetutës, Osmani ka afat dhjetë ditë, deri më 5 nëntor, për t’i ftuar për konsulta partitë politike.
Mirëpo, sipas hulumtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, presidentja Osmani nuk duhet ta presë afatin maksimal, por sa më parë të nisë konsultat me partitë politike për të parë kah do të rrjedhin procedurat kushtetuese.
“Duke e ditur se dje ka qenë e pritur që do të mbahet pra seanca. Është deri diku e pakuptimtë sesi presidentja e vendit, në një situatë të tillë kaq të ndjeshme politike dhe kushtetuese, nuk ndodhet në vend. Çdo moment i humbur është një mundësi e humbur për gjetjen e ndonjë daljeje nga kjo situatë apo në skenarin tjetër që mos të humbet kohë me këto procedura…Ajo çfarë ka rëndësi, është që 5 nëntori është data e fundit kur presidentja duhet t’i japë rrugë procesit aktual. Në këtë drejtim, unë besoj që sa më parë që të zhvillohet diskutimi me partitë, aq më mirë për vendin, sepse do ta kemi parasysh se cila është kahja drejt së cilës do të rrjedhin procedurat kushtetuese”, thekson Cakolli.
Në anën tjetër, Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për KosovaPress, se presidentja Osmani mund të komunikojë përmes shkresave me kryetarët e partive politike dhe s’ka nevojë që gjithsesi të pritet për takime fizike.
“Presidentja mund të komunikojë edhe përmes shkresave me kryetarët e partive politike. Nuk ka nevojë të pritet që ajo të vijë dhe të konsultohet me partitë politike. Edhe në praktikat e mëhershme është bërë që presidenti i kaluar ka komunikuar në vitin 2019 përmes shkresave dhe telefonit me partitë politike. Pra, nuk do të thotë që gjithsesi të konsultohet me takime fizike për të marrë informacion nga partitë nëse janë të gatshme të formojnë një qeveri tjetër nga partitë e tjera ose sërish LVV-ja”, shton Jakaj.
Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, prezantoi kabinetin qeveritar para Kuvendit më 26 tetor, mirëpo i njëjti dështoi të formojë qeverinë e re, pasi mori vetëm 56 vota për nga 61 të nevojshme.








