129 pjesëtarë e braktisën FSK-në gjatë vitit të kaluar – Maqedonci: Është trend global

Gjatë vitit 2023, 129 ushtarë e kanë braktisur vullnetarisht Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Derisa numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të larguar nga FSK-ja, vitin e kaluar, është 221, duke përfshirë pjesëtarët aktivë, rezervë dhe nëpunës civilë. Shifrat i ka bërë të ditura ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, më shumë se gjysma prej tyre janë larguar për mundësi jashtë FSK-së, duke lëvizur nëpër institucione të tjera.

“Sa i përket daljeve, gjatë vitit 2023 gjithsej janë larguar 221 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke përfshirë pjesëtarët aktivë, rezervë dhe nëpunës civilë. Këtu hyn edhe pensionimi i rregullt, që janë 59 pjesëtarë. Pensionim jo i rregullt: dy civilë, pensionim pas arritjes së moshës: 14 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimit kanë pasur 129 pjesëtarë, ndërprerje vullnetare të shërbimit të rezervës: 4, ndërprerje vullnetare të shërbimit, një civil, shkarkim nga shërbimi ka qenë një, kanë humbur statusin e pjesëtarit të FSK-së 2 pjesëtarë dhe largim nga bordi kemi pasë…”, tha Maqedonci.

Kryetari i Komisionit, deputeti Bekë Berisha e ndërpreu. “Ndalemi te këta që e kanë lëshu. Që nuk janë pensionistë, por e kanë lëshu”.

“Arsyet janë të ndryshme, duke filluar nga mirëqenia, pra nga aspekti i pagës, te mundësitë që u ofrohen jashtë institucionit”, u përgjigj ministri Maqedonci.

“Ky nuk është trend vetëm te ne, është trend global. Të gjitha ushtritë aktualisht janë duke u ballafaquar me mbajtjen e personelit, kjo edhe për faktin që në kuadër të ushtrisë, si oficerët, gjithashtu nënoficerët dhe ushtarët zhvillojnë shkathtësi të veçanta, marrin trajnim të veçantë i cili shpesh u mundëson atyre të bëhen subjekt ‘gjuetie’ nga kompanitë e ndryshme jashtë institucionit, duke përfshirë edhe institucionet shtetërore”, tha Maqedonci.

Ministri tha se ka pasur “edhe lëvizje në Policinë e Kosovës prej Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Jo gjithmonë për shkak të mirëqenies, shpesh edhe për shkak të mundësive që u ofron ushtrimi i profesionit të tyre edhe në strukturat e tjera”, tha ai.

“Unë po e shoh shqetësuese ende këtë çështjen e mbajtjes së personelit dhe do të jetë shqetësuese edhe për vitet me radhë”, tha Maqedonci.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi