Zvicra refuzoi të japë leje për fluturimin mbi territorin e saj të avionëve ushtarakë amerikanë të lidhur me luftën në Iran

Qeveria zvicerane njoftoi të shtunën se kishte shqyrtuar kërkesat e avionëve ushtarakë dhe zyrtarë amerikanë për të fluturuar mbi territorin e vendit dhe, në bazë të ligjit të saj për neutralitetin, kishte refuzuar dy kërkesa, ndërsa kishte lejuar tre fluturime.

“Ligji për neutralitetin ndalon fluturimet mbi territor nga palët në konflikt që shërbejnë për qëllime ushtarake të lidhura me konfliktin. Lejohen tranzitet humanitare dhe mjekësore, përfshirë transportin e personave të plagosur, si dhe fluturimet që nuk janë të lidhura me konfliktin”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Bëhet fjalë për fluturime të lidhura me luftën në Iran.

Ministri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister, kohët e fundit ka shprehur shqetësim për konfliktin në Iran dhe ka shtuar se SHBA-ja dhe Izraeli kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare me sulmet ndaj Iranit.

“Këshilli Federal është i mendimit se sulmi ndaj Iranit përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Sipas mendimit tonë, bëhet fjalë për shkelje të ndalimit të përdorimit të forcës”, tha Pfister.

Kategoritë
BotaLajme