Zvicra konfirmon rast të hantavirusit tek ish-pasagjeri i anijes turistike

Autoritetet thanë se pacienti po trajtohet në një spital në Cyrih pasi kërkoi ndihmë mjekësore dhe se rreziku për publikun në Zvicër është i ulët.

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar një rast me hantavirus te një burrë që më parë kishte qenë pasagjer në anijen turistike MV Hondius në Oqeanin Atlantik, njoftuan sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe mediat lokale.

“Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar një rast të hantavirusit të identifikuar te një pasagjer i anijes MV Hondius”, njoftoi OBSH-ja në platformën amerikane X.

Organizata tha se personi po trajtohet në një spital në Cyrih pasi kërkoi ndihmë mjekësore, pas një emaili nga operatori i anijes që informonte pasagjerët për incidentin shëndetësor.

Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), të cituar nga Swissinfo, pacienti ishte kthyer së fundmi nga një udhëtim në Afrikën e Jugut me bashkëshorten e tij në fund të prillit, pas udhëtimit me MV Hondius.

Bashkëshortja e tij nuk ka shfaqur simptoma, por ka hyrë në vetizolim si masë paraprake. Autoritetet po punojnë gjithashtu për të përcaktuar nëse pacienti ka pasur kontakt me persona të tjerë.

FOPH-ja tha se raste të tjera në Zvicër janë të pamundura dhe vlerësoi se rreziku për publikun është i ulët.

Anija turistike, me rreth 150 pasagjerë, u godit nga një shpërthim i hantavirusit pranë brigjeve të Kepit të Gjelbër (Cabo Verde), ku janë raportuar tre vdekje.

OBSH-ja tha se deri më 6 maj janë regjistruar tetë raste, tre prej të cilave janë konfirmuar laboratorikisht si infeksione me hantavirus.

Agjencia konfirmoi se virusi i identifikuar në këtë shpërthim është hantavirusi Andes.

OBSH-ja tha se po koordinon me autoritetet në Kepin e Gjelbër, Holandë, Afrikën e Jugut, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe me operatorët e anijes, ndërsa hetimet, përfshirë gjurmimin e kontakteve dhe analizën e virusit, po vazhdojnë.

Anija pritet të vazhdojë drejt Ishujve Kanarie pas evakuimit të disa pacientëve të infektuar, ku autoritetet spanjolle do të kryejnë një hetim të plotë dhe proces dezinfektimi, tha OBSH-ja.

Anija holandeze MV Hondius kishte qenë në një lundrim polar disajavor nga Argjentina drejt Antarktidës.

Kategoritë
BotaLajme