Zëvendëspresidentja e Venezuelës reagon: Nuk e dimë ku ndodhet Maduro, kërkojmë dëshmi se është gjallë

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se qeveria nuk e di se ku ndodhen presidenti Nicolas Maduro dhe zonja e parë Cilia Flores.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi herët të shtunën se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm të madh ndaj Venezuelës dhe se Maduro së bashku me bashkëshorten e tij janë kapur dhe janë nxjerrë jashtë vendit.

“Kërkojmë menjëherë prova jete nga qeveria e presidentit Trump lidhur me jetën e presidentit Maduro dhe të zonjës së parë”, tha Rodríguez në një deklaratë audio për televizionin shtetëror VTV Venezuela.

Ajo shtoi se sulmi amerikan ka shkaktuar humbje jete mes zyrtarëve, pjesëtarëve të ushtrisë dhe civilëve në mbarë vendin.

Në një deklaratë të veçantë, ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Padrino López, tha se ushtria po dislokohet në të gjithë territorin e vendit dhe se nuk do të dorëzohet dhe as do të negociojë, duke e dënuar agresionin.

Sipas mediave amerikane, operacionin e kapjes së presidentit Maduro e kanë kryer pjesëtarë të njësisë elitare Delta Force. Ndërkohë, Sky News britanik raportoi se burime brenda opozitës venezueliane besojnë se bëhet fjalë për një marrëveshje të Madurós për largimin nga vendi.

Kolumbia, Kuba, Rusia dhe Irani kanë dënuar sulmin ndaj Venezuelës.

Kategoritë
BotaLajme