Presidenti ukrainas tha se fondet që i përkisnin bankës Oschadbank dhe që ishin sekuestruar nga autoritetet hungareze në muajin mars, janë kthyer plotësisht në territorin ukrainas
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka bërë të ditur se Hungaria ka kthyer fondet e sekuestruara nga një bankë shtetërore ukrainase më herët këtë vit, duke e përshkruar këtë veprim si një “hap të rëndësishëm” në marrëdhëniet mes Kievit dhe Budapestit, transmeton Anadolu.
Zelenskyy në rrjetin social amerikan X tha se fondet që i përkisnin bankës Oschadbank dhe që ishin sekuestruar nga autoritetet hungareze në muajin mars, janë kthyer plotësisht në territorin ukrainas.
“Jam mirënjohës ndaj Hungarisë për qasjen e saj konstruktive dhe hapin e civilizuar. Falënderoj të gjithë ekipin e Ukrainës që luftoi për një vendim të drejtë dhe mbrojti interesat e shtetit tonë dhe të popullit tonë”, tha Zelenskyy.
Ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, gjithashtu e cilësoi këtë veprim si një “zhvillim të mirëpritur” në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe, duke falënderuar palën hungareze.
“Ne e marrim këtë si shenjë të gatishmërisë së Hungarisë për të avancuar marrëdhëniet tona me respekt të ndërsjellë dhe pragmatizëm të shëndetshëm dhe jemi të gatshëm ta kthejmë këtë”, tha Sybiha.
Në fillim të muajit mars, Ukraina akuzoi autoritetet hungareze për “mbajtjen peng” të shtatë punonjësve të Oschadbank në Budapest, si dhe për sekuestrimin e më shumë se 80 milionë dollarëve në para të gatshme dhe 9 kilogramë ar.
Autoritetet tatimore dhe doganore të Hungarisë njoftuan atëkohë se kishin ndaluar shtatë shtetas ukrainas, së bashku me dy automjete të blinduara për transport parash, në kuadër të procedurave penale të nisura për dyshime për pastrim parash.
Autoritetet thanë se automjetet e sekuestruara po transportonin gjithsej 40 milionë dollarë, 35 milionë euro dhe 9 kilogramë ar drejt Ukrainës nga Austria. Shtatë personat u dëbuan nga Hungaria dy ditë pas ndalimit.









