Zelenskyy bën thirrje për vendim ‘të qartë’ për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në korrik

Zelenskyy bën thirrje për vendim ‘të qartë’ për anëtarësimin e Ukrainës në NATO në korrik

“Në verë – në Vilnius, në samitin e NATO-s – nevojitet ftesë e qartë për anëtarësim për Ukrainën dhe nevojiten garanci të sigurisë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, tha Zelenskyy në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, bëri thirrje për një vendim “të qartë” për të ardhmen e vendit në aleancën ushtarake të NATO-s në korrik, kur liderët e bllokut takohen në kryeqytetin lituan Vilinius për një samit, transmeton Anadolu.

“Në verë – në Vilnius, në samitin e NATO-s – nevojitet ftesë e qartë për anëtarësim për Ukrainën dhe nevojiten garanci të sigurisë në rrugën drejt anëtarësimit në NATO”, tha Zelenskyy në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi.

Ukraina paraqiti zyrtarisht kërkesën e saj për anëtarësim të shpejtë në NATO shtatorin e kaluar, pas aneksimit nga Rusia të katër rajoneve të Ukrainës. Por aleatët e NATO-s duken të ndarë për këtë çështje dhe kanë thënë se shtimi i një anëtari të ri në mes të luftës nuk është prioritet.

Rusia, ndërkohë, ka paralajmëruar vazhdimisht se konflikti mund të përshkallëzohet në një luftë botërore nëse Ukraina do të pranohej në aleancë.

“Dyshimet duhet të zhduken. Vendimet pozitive për Ukrainën do të jenë vendime pozitive për të gjithë”, tha Zelenskyy.

Ai theksoi se “kur nuk ka garanci sigurie, ka vetëm garanci lufte”, duke shtuar se “çdo vend evropian që kufizohet me Rusinë dhe që nuk dëshiron që Rusia ta copëtojë atë, duhet të jetë anëtar i plotë i BE-së dhe NATO-s”.

Udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se ai dëshiron përparim në rrugën e Ukrainës drejt BE-së, në të cilën Kievi aplikoi për t’u bashkuar vitin e kaluar pasi Rusia filloi “operacionin e saj special ushtarak”.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova