Zelanda e Re planifikon të asgjësojë 2.5 milionë mace deri në vitin 2050

Qeveria e Zelandës së Re, e vendosur në kontinentin australian, ka prezantuar një plan të ri për zhdukjen e maceve të egra deri në vitin 2050, të cilat konsiderohen një kërcënim serioz për ekosistemin vendas. Vendimi i ri ka tërhequr vëmendje të madhe në vend.

Ministri i Mbrojtjes së Natyrës, Tama Potaka, njoftoi se macet e egra do t’i shtohen listës së grabitqarëve të përfshirë në strategjinë “Predator Free 2050”, e cila zbatohet që nga viti 2016. Ky është rasti i parë që në listë shtohet një specie e re.

PROGRAM I GJERË ASGJËSIMI

Ministri Potaka i quajti macet e egra “vrasës gjakftohtë” dhe bëri të ditur se ato do të trajtohen në të njëjtën kategori me kunadhet, minjtë, nuselalat dhe possum-ët.

Macet e egra, të cilat deri më tani kontrolloheshin vetëm në disa rajone, do të futen në programe të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse të asgjësimit.

Plani i detajuar i zbatimit pritet të publikohet në mars të vitit 2026.

MBI 2.5 MILIONË MACE TË EGRA

Vlerësohet se në pyjet natyrale dhe ishujt e vendit jetojnë mbi 2.5 milionë mace të egra. Këto mace, të cilat mund të arrijnë deri në një metër me bisht dhe deri në 7 kilogramë peshë, kanë shkaktuar dëme të mëdha ndaj specieve vendase.

Raportohet se në Ishullin Rakiura Stewart ato e kanë çuar drejt zhdukjes zogun Pukunui ose South Island dotterel, ndërsa në zonën përreth malit Ruapehu kanë vrarë koloni lakuriqësh nate.

Në një prononcim për Radio New Zealand, ministri Potaka deklaroi:
“Nëse duam të rrisim biodiversitetin dhe të mbrojmë trashëgiminë tonë natyrore, duhet t’i eliminojmë këta grabitqarë.”

KËRKESË E KOHËS, POR JO PA KUNDËRSHTIME

Përfshirja e maceve të egra në listë është rezultat i një fushate të gjatë sensibilizimi. Në vitin 2013, aktivisti Gareth Morgan nisi fushatën “Cats to Go”, e cila shkaktoi reagime të forta. Madje edhe gara për gjuajtjen e maceve të egra për fëmijë u kritikua ashpër nga organizatat e të drejtave të kafshëve.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes së Natyrës njoftoi se rreth 90% e komenteve mbi draft-strategjinë e re mbështesin kontrollin e maceve të egra.

Macet shtëpiake nuk përfshihen në strategji, por theksohet se edhe ato përbëjnë një kërcënim të rëndësishëm për biodiversitetin. Zelanda e Re është një nga vendet me përqindjen më të lartë në botë të mbajtjes së maceve shtëpiake, ndërsa rregullat për to mbeten mjaft të shpërndara.

ORGANIZATAT E TË DREJTAVE TË KAFSHËVE SHPREHIN SHQETËSIM

Këshilltarja shkencore e SPCA, Christine Sumner, deklaroi se pavarësisht se kuptojnë dëmin e madh ekologjik të maceve të egra, metoda kryesore aktuale për kontrollin e tyre është vrasja, çka paraqet një shqetësim serioz.

Organizatat kërkojnë më shumë kërkime dhe fonde për metoda më humane të menaxhimit.

Grupet e të drejtave të kafshëve, së bashku me Predator Free Trust, mbështesin që macet shtëpiake të mbahen brenda shtëpisë, me sloganin “Every cat in a lap”. Gjithashtu kërkohet ligj kombëtar për sterilizim të detyrueshëm dhe identifikim me mikroçip.

Gareth Morgan deklaroi:
“Mos-përfshirja e maceve të egra në fillim ishte një mungesë e madhe. Tani nevojiten ndryshime konkrete politike për të arritur rezultate të vërteta.”

Kategoritë
BotaLajme