Ariane de Rothschild, drejtuesja e bankës private zvicerane Edmond de Rothschild, ka shkëmbyer mesazhe rreth dhjetë herë me Jeffrey Epstein dhe ka pranuar disa takime gjatë pesë viteve para arrestimit të tij në vitin 2019, tregojnë dokumentet e United States Department of Justice.
Dokumentet, të publikuara të premten e kaluar nga ministria, nuk përmbajnë prova për vepra penale, por hapin pikëpyetje lidhur me përshkrimin e mëhershëm të marrëdhënies së tyre nga banka, sipas të cilit takimet me Epstein ishin pjesë e detyrave të saj të rregullta profesionale, shkruan Reuters.
Takime në Nju Jork dhe Paris
Korrespondenca tregon se dyshja organizonte takime në shtëpitë e Epstein në New York dhe Paris, si dhe se Epstein e kishte ftuar de Rothschild të qëndronte në apartamentin e tij. Qëllimi i këtyre takimeve nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Reuters.
Më 19 mars 2019, rreth katër muaj para arrestimit të tij, Epstein e pyeti Ariane de Rothschild nëse ndodhej në Paris. Ajo u përgjigj: “Vërtet je këtu?! Edhe unë jam. Kur je i lirë?”
“Ka kaluar vërtet shumë kohë,” iu përgjigj Epstein, pas së cilës ranë dakord të takoheshin të nesërmen. Reuters nuk arriti të konfirmojë nëse ata u takuan realisht atëherë apo më herët, siç sugjeron korrespondenca.
Ky zbulim mbi afërsinë e panjohur më parë mes financierit tashmë të ndjerë dhe bankieres e shton de Rothschild në listën gjithnjë e më të gjatë të personave të njohur që rezulton se kanë qenë pjesë e rrethit shoqëror të Epstein.
Banka: Ishte njohje biznesi
Një zëdhënës i bankës i tha Reuters se Epstein ishte njohje biznesi e Ariane de Rothschild nga viti 2013 deri në 2019. Ai shtoi se de Rothschild nuk kishte dijeni për sjelljen e Epstein dhe se “e dënon pa mëdyshje sjelljen e tij dhe krimet që ka kryer”.
Zëdhënësi nuk iu përgjigj pyetjeve të përsëritura lidhur me detajet e komunikimit të tyre.
Epstein në vitin 2008 pranoi fajësinë për nxitje të një të miture në prostitucion dhe vuajti 13 muaj burg në Florida. Në korrik 2019 ai u akuzua për trafikim të të miturave për shfrytëzim seksual në Nju Jork dhe Florida mes viteve 2002–2005. Ai u deklarua i pafajshëm. U gjet i vdekur në qelinë e tij në Manhattan më 10 gusht 2019, ndërsa vdekja u shpall vetëvrasje.
Ftesë private dhe dhuratë e pazakontë
Reuters shqyrtoi një mostër prej më shumë se 4.400 përmendjesh të emrit de Rothschild në dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë, shumë prej të cilave ishin referenca të përsëritura të të njëjtëve email-e. Në një shkëmbim nga viti 2016, de Rothschild i shkroi Epstein se kishte grip dhe se nuk do të qëndronte tek një person që e quante “B”.
Epstein e ftoi atë të qëndronte në apartamentin e tij, duke shkruar: “…do të ishte private dhe askush nuk do ta dinte.”
De Rothschild, e cila sot është 60 vjeç, e falënderoi, por tha se do të qëndronte tek dikush tjetër që do të “kujdeset për të”. Shtoi se B ishte “katastrofë” dhe se ishte “ngopur me të”.
Bashkëshorti i saj, Benjamin de Rothschild, vdiq në vitin 2021. Zëdhënësi i bankës refuzoi të komentojë mesazhet konkrete.
Në një tjetër korrespondencë nga viti 2016, asistenti i Epstein organizonte kthimin e një hoverboard-i për vajzën e Ariane de Rothschild. Një vit më parë, në 2015, de Rothschild dhe Epstein shkëmbyen mesazhe për qirinj që ajo e kishte ndihmuar të prodhonte.
“Qirinj??? S’po pres dot t’i nuhas. Faleminderit,” shkroi Epstein.
Ajo iu përgjigj: “Formula jote e preferuar matematikore është mbi të dhe aroma është bërë vetëm për ty. I shkon për shtat ishullit tënd.”
Epstein zotëronte një ishull privat në Karaibe, për të cilin pretendohet se ishte vend i trafikimit të të miturave.
Gruaja e parë në krye të një institucioni bankar Rothschild
Që nga viti 2023, Ariane de Rothschild është drejtoreshë ekzekutive e bankës Edmond de Rothschild në Gjenevë, e cila menaxhon asete në vlerë prej 184 miliardë frangash zvicerane. Me martesën në vitin 1999, ajo u bë pjesë e një prej dinastive bankare më të njohura evropiane dhe më pas gruaja e parë në histori në krye të një institucioni financiar Rothschild.
Todd Blanche, zëvendësprokuror i përgjithshëm i SHBA-së, deklaroi se publikimi i dokumenteve të premten e kaluar shënoi fundin e veprimeve të administratës së Donald Trump sipas ligjit që kërkon publikimin e të gjitha dosjeve të lidhura me Epstein.




















