Washington Post shkruan: Nëse rrëzohet, Maduro do të kërkojë strehim në Turqi

Në një analizë të publikuar nga “Washington Post”, pretendohet se presidenti venezuelas Nicolás Maduro, në rast të një rrëzimi të mundshëm nga pushteti, mund të strehohet në Turqi. Artikulli thekson marrëdhëniet e ngushta mes Maduros dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan.

Ndërsa bota është e përqendruar në gjenocidin e Izraelit në Gaza dhe luftën Rusi–Ukrainë, një vatër e re tensioni është duke u shfaqur: Venezuela.

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar qeverinë venezuelase se përmes karteleve të drogës po dërgon substanca narkotike drejt SHBA-së. Trump, i cili kohëve të fundit po ndërmerr aksione të ashpra, publikoi pamje të sulmeve ajrore kundër mjeteve detare që pretendohet të kenë transportuar drogë në Detin e Karaibeve dhe ka paralajmëruar vazhdimisht Maduros.

Në deklaratën më të fundit, Trump dha sinjalin e parë për një operacion tokësor.

“NËSE MADURO RRËZOHET, DO TË STREHOHET NË TURQI”

Nga ana tjetër, Maduro ka vënë në lëvizje ushtrinë dhe forcat militante brenda vendit. Teksa tensionet po rriten dhe opinioni ndërkombëtar po e ndjek situatën me kujdes, “Washington Post” raportoi se Maduro, në rast të largimit të detyruar nga pushteti, mund të zgjedhë Turqinë si vendstrehim.

“PORT I MUNDËSHËM I SIGURT”

Sipas raportimit të gazetës amerikane, Turqia shihet si “një port potencialisht i sigurt” apo “një rrugë tranziti e mundshme” për Maduros.

“LIDHJET ME TURQINË MUND TA LEHTËSOJNË ARRATISJEN”

Në artikull, një zyrtar amerikan – i cili ka folur në kushte anonimiteti – është cituar të ketë thënë se marrëdhëniet e Maduros me Turqinë mund të ndihmojnë në sigurimin e një marrëveshjeje ekzili. Një marrëveshje e tillë, sipas tij, mund të përfshijë garanci që Maduro të mos ekstradohet në SHBA.

“I BESON ERDOĞANIT”

Artikulli shton se: “Maduro i beson Erdoğanit, dhe Erdoğan ka marrëdhënie të mira me Trumpin.”

TENSIONET VENEZUELË–SHBA

SHBA e ka futur grupin e dyshuar kriminal “Cartel de los Soles”, që pretendohet se drejtohet nga zyrtarë të lartë venezuelas, në listën e Organizatave të Huaja Terroriste (FTO). Caracas zyrtar e ka refuzuar ekzistencën e një karteli të tillë, duke e quajtur këtë vendim një justifikim amerikan për ndërhyrje.

Së fundmi, grupi luftarak i aeroplanmbajtëses më të madhe në botë, USS Gerald R. Ford, është vendosur në rajonin e Amerikës Latine, në kuadër të operacioneve amerikane “kundër trafikut të drogës”.

Në përgjigje, presidenti Maduro ka mobilizuar 4.5 milionë milicë, duke deklaruar se Venezuela është e gatshme të zmbrapësë çdo sulm të mundshëm.

Kategoritë
BotaLajme