Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, ka deklaruar në Këshillin Kryesor të Partisë Progresive Serbe se kanë mbetur pesë ditë deri në “tentativën e tyre për revolucion” dhe rrëzimin e rendit kushtetues, që është një nga krimet më të rënda në Serbi.
“Kërkesa kryesore pas marrjes së institucioneve do të jetë formimi i një qeverie kalimtare. Nuk mund të rrëzojnë presidentin, sepse e dinë se me këtë do të hynin në një konflikt me ushtrinë dhe gjithçka tjetër,” tha Vučić.
Ai e vlerësoi se plani i vetëm është të marrin Kuvendin e Serbisë dhe Radio-televizionin e Serbisë, ndërsa Presidenca nuk mund të merret, por do ta vendosin në një “rrethim” dhe do ta shtyjnë të nënshkruajë një Qeveri kalimtare, por nuk do të arrijnë ta realizojnë atë.
Vuçiç tha se “deri sa të jetë gjallë” nuk do të pranojë asnjë qeveri kalimtare, se “do të duhet ta vrasin” dhe se ky është betimi i tij, dhe se “nuk do t’ua dorëzojë shtetin mashtruesve”, të cilat u përshëndetën me ngritje në këmbë dhe duarrokitje, raporton N1info.rs.
Ai njoftoi se do të flasë sonte në programin e lajmeve të Radio-televizionit të Serbisë, nëse, siç tha ai, nuk do ta pengojnë në këtë.