Forcat izraelite të martën rrënuan selinë e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Jerusalemin Lindor të pushtuar.
Të udhëhequra nga ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir, forcat izraelite hynë në kompleks rreth orës 07:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe ngritën flamuj izraelitë mbi ndërtesën kryesore.
“Kjo është një ditë historike për sovranitetin në Jerusalem. Sot këta terroristë do të nxirren jashtë bashkë me gjithçka që kanë ndërtuar. Kjo do t’i bëhet çdo përkrahësi të terrorizmit”, deklaroi Ben Gvir.
Ben Gvirin e shoqëroi zëvendëskryetari i Bashkisë së Jerusalemit nga e djathta ekstreme, Aryeh King.
“Nëse do Zoti, do t’i dëbojmë, do t’i vrasim, do t’i eliminojmë dhe do ta shkatërrojmë të gjithë stafin e UNRWA-së”, tha King gjatë rrënimit.
Dënime të ashpra
Philippe Lazzarini, komisionari i përgjithshëm i UNRWA-së, tha se rrënimi tregon një nivel të ri të sfidimit të hapur dhe të qëllimshëm ndaj së drejtës ndërkombëtare.
“Kjo përbën një sulm të paprecedent ndaj një agjencie të Kombeve të Bashkuara dhe ndaj ambienteve të saj. Ajo që po i ndodh sot UNRWA-së, do t’i ndodhë nesër çdo organizate tjetër ndërkombëtare ose misioni diplomatik, qoftë në territorin palestinez të pushtuar apo kudo në botë”, u shpreh Lazzarini.
Adnan Abu Hasna, zëdhënës i UNRWA-së, tha se asnjë vend nuk e ka hequr ndonjëherë flamurin e OKB-së nga zyrat e saj siç bëri Izraeli.
“Agjencia nuk ka më seli, zyra apo institute në terren si pasojë e vendimeve izraelite. Izraeli ka shpallur synimin e tij për ta shpërbërë UNRWA-në dhe për ta eliminuar çështjen e refugjatëve palestinezë”, tha ai për Al Araby TV.
Ndihma nga e cila varen palestinezët
Ministria e Punëve të Jashtme të Izraelit e mbrojti rrënimin, duke e akuzuar UNRWA-në për lidhje me Hamasin. Ata pretenduan se kompleksi nuk gëzon imunitet dhe thanë se marrja nën kontroll e tij është në përputhje me të drejtën izraelite dhe ndërkombëtare.
Parlamenti izraelit në vitin 2024 miratoi një ligj që e ndalon UNRWA-në të veprojë në Izrael dhe në territoret palestineze të pushtuara.
Ky ligj anuloi marrëveshjen e vitit 1967 që i mundësonte agjencisë të vepronte në zonat nën kontroll izraelit, gjë që kritikët e konsiderojnë shkelje të Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Ekspertë të OKB-së dhe specialistë humanitarë kanë paralajmëruar se ky ndalim mund të ketë pasoja të rënda për miliona refugjatë palestinezë që varen nga shërbimet e UNRWA-së. UNRWA ofron shërbime për rreth 5.9 milionë refugjatë palestinezë në Gaza, Bregun Perëndimor, Jordani, Siri dhe Liban.
Ajo është agjencia kryesore e OKB-së që vepron në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gaza, duke mbikëqyrur pjesën më të madhe të shpërndarjes së ndihmës në enklavë.
Në Gaza, një pjesë e madhe e 2.2 milionë banorëve të Rripit varet nga UNRWA për ushqim, strehim, kujdes shëndetësor dhe arsim. Edhe organizata më të vogla humanitare mbështeten në rrjetet e saj të shpërndarjes për të funksionuar.











