Qeveria e përkohshme e Venezuelës ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare për pjesëtarët e ushtrisë që u vranë gjatë sulmit amerikan ndaj Karakasit, i cili u ndërmor me qëllim arrestimin e presidentit Nicolás Maduro.
“Kam vendosur të shpall shtatë ditë zie kombëtare në nder dhe kujtim të vajzave dhe djemve të rinj që sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të Venezuelës,” deklaroi presidentja në detyrë Delcy Rodríguez në televizionin shtetëror.
Të paktën 24 ushtarë u vranë në sulmin amerikan të kryer herët të shtunën e kaluar.
“Në kujtim: 24 yje nga qielli ynë bolivarian, të këputur nga dora frikacake imperialiste,” thuhet në deklaratën e forcave të armatosura të publikuar në Instagram, së bashku me fotografitë e burrave dhe grave të ndjerë.
Më herët, qeveria kubane kishte njoftuar se 32 pjesëtarë të forcave të saj të sigurisë ishin vrarë gjatë një operacioni të komandove të ushtrisë amerikane gjatë fundjavës.
Sipas ekspertëve, ushtarë dhe agjentë të inteligjencës nga Kuba aleate kanë vepruar prej vitesh në Venezuelë. Ata kanë qenë të angazhuar si truproja të Madurós ose në ruajtjen e disiplinës brenda radhëve të forcave të armatosura.
Kujtojmë se gjatë fundjavës, forcat amerikane sulmuan objektiva në Venezuelë, duke arrestuar Maduron dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores. Ata u dërguan në Nju Jork për t’u përballur me akuza penale.











