Qeveria e Venezuelës dhe presidenti i këtij vendi, Nicolás Maduro, reaguan pas sulmeve ajrore në kryeqytetin Caracas, duke fajësuar për gjithçka Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto sulme, Venezuela i ka cilësuar si agresion.
“Republika Bolivariane e Venezuelës e hedh poshtë dhe e dënon para komunitetit ndërkombëtar agresionin ushtarak jashtëzakonisht serioz të kryer nga Qeveria aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër territorit dhe popullit venezuelian, në objektiva civile dhe ushtarake në qytetin Caracas, kryeqytetin e Republikës, si dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira. Ky akt përbën një shkelje flagrante të Kartës së Kombeve të Bashkuara, veçanërisht të neneve 1 dhe 2, të cilat garantojnë respektimin e sovranitetit, barazinë juridike të shteteve dhe ndalimin e përdorimit të forcës. Një agresion i tillë rrezikon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, veçanërisht në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe vë në rrezik serioz jetën e miliona njerëzve”, thuhet në deklaratë.
Sipas autoriteteve venezueliane, qëllimi i këtij sulmi nuk është asgjë tjetër veçse marrja nën kontroll e burimeve strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftës dhe mineraleve të saj, duke tentuar me forcë thyerjen e pavarësisë politike të vendit.
“Nuk do t’ia dalin. Pas më shumë se dyqind vitesh pavarësi, populli dhe qeveria e tij legjitime mbeten të palëkundur në mbrojtjen e sovranitetit dhe të drejtës së patjetërsueshme për të vendosur vetë për fatin e tyre. Përpjekja për të imponuar një luftë koloniale me qëllim shkatërrimin e formës republikane të qeverisjes dhe detyrimin e ‘ndryshimit të regjimit’, në aleancë me oligarkinë fashiste, do të dështojë ashtu si të gjitha përpjekjet e mëparshme. Që nga viti 1811, Venezuela është përballur me perandori dhe i ka mposhtur ato. Kur fuqitë e huaja bombarduan brigjet tona në vitin 1902, presidenti Cipriano Castro shpalli: ‘Çizme e pacipë e të huajit e ka ndotur tokën e shenjtë të atdheut.’ Sot, me forcën morale të Bolivarit, Mirandës dhe çlirimtarëve tanë, populli venezuelian ngrihet sërish për të mbrojtur pavarësinë e tij nga agresioni imperialist”, thuhet më tej.
Qeveria Bolivariane u bën thirrje të gjitha forcave shoqërore dhe politike në vend që të aktivizojnë planet e mobilizimit dhe ta refuzojnë këtë, siç e quajnë, sulm imperialist.
“Populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane, në një bashkim të plotë të popullit, ushtrisë dhe policisë, janë të vendosura për të garantuar sovranitetin dhe paqen. Njëkohësisht, diplomacia bolivariane e paqes do të paraqesë ankesat përkatëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, te sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, CELAC dhe Lëvizja e të Paangazhuarve, duke kërkuar dënimin dhe përgjegjësinë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti Nicolás Maduro ka urdhëruar që të gjitha planet e mbrojtjes kombëtare të zbatohen në kohën dhe rrethanat e duhura, me respektim të rreptë të dispozitave të Kushtetutës së Republikës Bolivariane të Venezuelës, Ligjit Organik për Gjendjet e Jashtëzakonshme dhe Ligjit Organik për Sigurinë Kombëtare”, thuhet në deklaratë.
Në këtë kuadër, presidenti Nicolás Maduro ka nënshkruar dhe ka urdhëruar zbatimin e një Dekreti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në të gjithë territorin kombëtar, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të popullsisë, funksionimin e plotë të institucioneve republikane dhe kalimin e menjëhershëm në luftë të armatosur.
“I gjithë vendi duhet të aktivizohet për ta mposhtur këtë agresion imperialist. Gjithashtu, është urdhëruar vendosja e menjëhershme e Komandës për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse të Kombit dhe organeve të Drejtorisë së Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse në të gjitha shtetet dhe komunat e vendit. Duke respektuar rreptësisht nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Venezuela rezervon të drejtën për të ushtruar vetëmbrojtje legjitime për të mbrojtur popullin e saj, territorin dhe pavarësinë. U bëjmë thirrje popujve dhe qeverive të Amerikës Latine, Karaibeve dhe mbarë botës që të mobilizohen në solidaritet aktiv kundër këtij agresioni imperialist. Ashtu siç ka deklaruar Komandanti Suprem Hugo Chávez Frías: ‘Përballë çdo rrethane të vështirësive të reja, sado të mëdha qofshin ato, përgjigjja e të gjithë patriotëve… është uniteti, lufta, beteja dhe fitorja.’”, përfundon deklarata.


















