Bahreini, Kuvajti, Libani dhe blloku i Gjirit përshëndetën përpjekjet e SHBA-së për të arritur paqe në Rripin e Gazës
Vendet arabe mirëpritën planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës izraelite në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Bahreinit e quajti planin “një iniciativë pozitive për të arritur siguri dhe paqe në rajonin e Lindjes së Mesme”.
Ministria e Jashtme e Kuvajtit përshëndeti përpjekjet e paqes të SHBA-së nën udhëheqjen e Trumpit “për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për të arritur marrëveshje që i jep fund vuajtjeve të popullit vëllazëror palestinez, mbron të drejtat e tyre të patjetërsueshme, çon në një tërheqje të plotë të forcave pushtuese izraelite, fillon rindërtimin, parandalon zhvendosjen e palestinezëve dhe mbështet një paqe të drejtë dhe gjithëpërfshirëse”.
Ajo shprehu shpresë se përpjekjet e Trumpit do të çojnë në një shpërndarje të menjëhershme të ndihmës urgjente humanitare në Gaza dhe krijimin e një shteti palestinez në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet.
Presidenti libanez Joseph Aoun gjithashtu përshëndeti përpjekjet e Trumpit “për t’i dhënë fund vuajtjeve të civilëve dhe të pafajshmëve në Gaza, për të parandaluar gjakderdhjen dhe për të punuar së bashku për një Lindje të Mesme të qëndrueshme dhe të begatë bazuar në parimet e drejtësisë njerëzore dhe dinjitetit njerëzor”.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GGC), Jasem Mohamed Albudaiwi tha se “çdo përpjekje ndërkombëtare që synon t’i japë fund krizës dhe të ndalojë katastrofën humanitare në Gaza meriton lëvdata, angazhim dhe kontribut”.
Të hënën, Trump shpalli një plan 20-pikësh për t’i dhënë fund luftës së Izraelit ndaj Gazës gjatë një konference për media me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë.
Plani parashikon lirimin e të gjithë të burgosurve izraelitë në këmbim të dhjetëra të burgosurve palestinezë, çarmatosjen e plotë të Hamasit, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe formimin e një komiteti teknokratik dhe apolitik palestinez për të qeverisur enklavën.
Ushtria izraelite ka vrarë më shumë se 66 mijë palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023, shumica gra dhe fëmijë. Bombardimet intensive e kanë bërë enklavën të pabanuar dhe kanë shkaktuar uri dhe përhapje sëmundjesh.