Vazhdojnë pritjet e gjata të mërgimtarëve në vendkalimet kufitare me Serbinë

Bashkatdhetarët tanë, të cilët kanë marrë rrugë për vendet e Evropës Perëndimore me automjetete tyre dhe autobusë, po vazhdojnë të presin me orë të tëra në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Festat e fundvitit i kaluan duke u kënaqur pranë familjarëve të tyre në Kosovë, por kthimi për në vendet perëndimore, ku punojnë dhe jetojnë, po del të jetë i mundimshëm për bashkatdhetarët tanë.

Sipas raportit të Qendrës Kombëtare për Menaxhimi Kufitar gjatë tërë ditës sot (e shtunë) ka kolona e pritje të gjata në pothuaj të gjitha vendkalimet kufitare të Kosovës me Serbinë, transmeton Telegrafi.

Pritje më të gjata në orët e mbrëmjes po regjistrohen në vendkalimet në Merdar, Dheu  i Bardhë dhe Jarinjë, ku pritjet janë deri në katër orë për të hyrë në Serbi.

Ndërsa, në vendkalimet e tjera, Mutivodë, Muçibabë dhe Bërnjak udhëtarët po presin prej një deri në dy orë për ta kaluar kufirin.

Në vendkalimet e tjera kufitare të Kosovës me vendet e tjera fqinje nuk ka pritje të gjata.

Për të përcjellur gjendjen në kohë reale në pikat kufitare klikoni KËTU.

Kategoritë
LajmeVendi