Ushtria turke pritet të hyjë në Gazë; Fidan zbulon qëndrimin para Trumpit: “Jemi të gatshëm”

Shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan, deklaroi se Ankaraja është e gatshme të kontribuojë duke dërguar trupa në Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit të propozuara për Gazën. Fidan e bëri këtë deklaratë gjatë takimit të parë të Komitetit të Paqes për Gazën, të thirrur në Uashington nga presidenti amerikan Donald Trump.

Fidan theksoi se, pas dy vitesh vuajtjesh të rënda në Gazë, armëpushimi u arrit falë “përpjekjeve personale të presidentit Trump dhe angazhimit të përbashkët diplomatik”. Megjithatë, ai paralajmëroi se situata humanitare mbetet kritike dhe se shkeljet e armëpushimit vazhdojnë.

Ai nënvizoi nevojën për veprim urgjent, të koordinuar dhe efektiv për të stabilizuar rajonin dhe për të parandaluar një përshkallëzim të ri të konfliktit.

Ministri turk theksoi se presidenti Recep Tayyip Erdoğan është plotësisht i përkushtuar ndaj sigurisë, stabilitetit dhe rimëkëmbjes së Gazës.

“Turqia tashmë po ofron ndihmë të konsiderueshme humanitare për Gazën. Jemi të gatshëm të japim kontribut të rëndësishëm në rindërtimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, si dhe në trajnimin e forcave policore lokale”, tha Fidan.

Si pikën më të rëndësishme të fjalës së tij, Fidan deklaroi qartë: “Jemi të gatshëm të dërgojmë trupa në Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit.”

Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Trumpit, Fidan shtoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për sigurimin dhe ruajtjen e paqes, duke theksuar se baza e çdo zgjidhjeje të qëndrueshme duhet të jetë modeli me dy shtete.

“Punojmë për të mirën e të gjithë popujve në rajon dhe për arritjen e këtij qëllimi”, përfundoi Fidan.

Kategoritë
BotaLajme