Njësitë ushtarake kanë siguruar 34 fshatra dhe qytete në zonën lindore rurale të Halepit.
Ushtria e Sirisë njoftoi sot se ka marrë kontroll të plotë mbi qytetet Deir Hafir dhe Maskanah në lindje të Halepit, pas tërheqjes së organizatës terroriste YPG/SDF drejt lindjes së lumit Eufrat, transmeton Anadolu.
“Njoftojmë vendosjen e plotë të kontrollit tonë ushtarak mbi qytetin Deir Hafir, në zonën rurale lindore të Halepit”, tha Komanda e Operacioneve e ushtrisë për Agjencinë Siriane të Lajmeve (SANA).
Më tej u bë e ditur se forcat e ushtrisë po punojnë për sigurimin e qytetit dhe pastrimin e tij nga minat tokësore dhe mbetjet e luftës.
Më vonë, Komanda e Operacioneve tha për SANA se forcat e saj “kanë zgjeruar kontrollin mbi një zonë që shtrihet rreth 10 kilometra në lindje të qytetit Deir Hafir, në zonën lindore rurale të Halepit”.
Komanda bëri të ditur gjithashtu se njësitë e ushtrisë morën kontrollin e Aeroportit Ushtarak Al-Jarrah, “duke lehtësuar tërheqjen e më shumë se 200 anëtarëve të organizatës SDF me armët e tyre”.
Po ashtu u njoftua vendosja e kontrollit mbi 34 fshatra dhe qyteza në zonën lindore rurale të Halepit.
Ushtria shtoi se njësitë e saj morën kontrollin e qytetit Maskanah në lindje të Halepit dhe po lëvizin drejt zonës fqinje Dibsi Afnan, duke theksuar se “qindra anëtarë të SDF-së janë dorëzuar te ushtria”.
Njësitë e ushtrisë po “sigurojnë daljen e më shumë se 200 elementëve të SDF-së me armët e tyre”, u tha më tej.
Veçmas, komanda njoftoi se forcat e ushtrisë siriane hynë të shtunën në fshatin Jefeirah në lindje të Halepit.
Më pas, ushtria i tha SANA-s se kishte hyrë në provincën Raqqa dhe kishte marrë kontrollin e qytetit Dibsi Afnan në pjesën perëndimore të provincës.
Forcat e ushtrisë siriane po vazhdojnë të vendosin kontroll në zonën perëndimore të Eufratit dhe po avancojnë drejt qytetit Tabqa.
Ndërkohë, njësitë e sigurisë së brendshme në Halep kanë nisur një dislokim të organizuar në terren në Deir Hafir pas tërheqjes së grupeve të armatosura të lidhura me SDF-në dhe dorëzimit të qytetit te ushtria siriane.
Më herët, ushtria kishte njoftuar se forcat e saj kishin filluar të hynin në zonat perëndimore të Eufratit, duke nisur nga Deir Hafir.
Këto zhvillime vijnë ndërsa Ferhat Abdi Shahin – një nga drejtuesit e grupit terrorist YPG/SDF, i cili ishte objektiv i operacionit ushtarak të ushtrisë në perëndim të Eufratit – pretendoi se elementët terroristë do të tërhiqeshin drejt rajoneve në lindje të lumit duke filluar nga ora 07:00 sipas kohës lokale.
Ushtria siriane shpalli zonat në perëndim të Eufratit, veçanërisht Deir Hafir dhe Maskanah, si zona ushtarake më 13 janar dhe nisi një operacion kundër objektivave terroriste të identifikuara, pasi krijoi korridore humanitare në autostradën M15 për evakuimin e civilëve.
Të hënën, ushtria dërgoi forca shtesë në lindje të Helpit pasi u zbulua ardhja e më shumë anëtarëve të SDF-së dhe mbetjeve të regjimit të rrëzuar pranë qyteteve Maskanah dhe Deir Hafir.
Në mars 2025, presidenca siriane njoftoi një marrëveshje për integrimin e organizatës terroriste YPG/SDF në institucionet shtetërore, duke riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.
Megjithatë, autoritetet thonë se SDF-ja nuk i ka respektuar kushtet e këtyre marrëveshjeve.
Qeveria siriane ka intensifikuar përpjekjet për rikthimin e sigurisë në mbarë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor 2024, pas 24 vitesh në pushtet.










