Ushtria izraelite arreston 21 palestinezë, 15 prej të cilëve ishin liruar më parë

Gjithashtu u raportua se shumë persona u rrahën gjatë bastisjeve dhe u dërguan në një vend të panjohur për t’u marrë në pyetje

Ushtria izraelite arrestoi 21 palestinezë në bastisjet në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë 15 që ishin liruar në dy shkëmbimet e fundit të të burgosurve, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të përbashkët, Shoqata e të Burgosurve Palestinezë dhe Komiteti i të Burgosurve dhe të Liruarve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës deklaruan se trupat izraelite vazhdojnë bastisjet e tyre në Bregun Perëndimor.

Në deklaratë thuhet se forcat izraelite bastisën kampin e refugjatëve “Aqaba Jabr” në qytetin Jericho dhe arrestuan 15 persona që ishin liruar si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish. Gjithashtu u raportua se shumë persona u rrahën gjatë bastisjeve dhe u dërguan në një vend të panjohur për t’u marrë në pyetje.

Ushtria izraelite bastisi shumë shtëpi në qytetet Ramallah, Al-Khalil, Betlehem, Nablus dhe Tulkarim, duke arrestuar gjashtë persona të tjerë. Midis të ndaluarve është Jamal al-Tawil, një figurë e njohur e lëvizjes Hamas dhe ish-kryetar bashkie i qytetit Al-Bireh.

Sipas burimeve lokale, forcat izraelite bastisën shtëpinë e Al-Tawilit në qytetin Al-Bireh, u vunë prangat fëmijëve të tij, e rrahën dhe më pas e arrestuan dhe e çuan në një vend të panjohur.

Që nga 8 tetori 2023, kur Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës, ka patur rritje të ndalimeve, bastisjeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor.

Kategoritë
BotaLajme