Ushtarët turq të KFOR-it ngrenë kënd lojërash për fëmijë në Kosovë

Në shkollën fillore “Samidin Emini” në fshatin Kuk të Komunës së Dragashit në jug të Kosovës, është ngritur një kënd i lojërave nga Delegacioni Përfaqësues i Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Në ceremoninë e hapjes së këtij këndi morën pjesë Konsulli i Përgjithshëm i Türkiyes në Prizren Celal Doğan, Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) njëherësh Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, Kryetari i Delegacionit Përfaqësues të Türkiyes në Kosovës, Kolonel Ersin Çelikkanat, Kryetari i Komunës së Dragashit Bexhet Xheladini, mësues dhe nxënës.

Në fjalën e tij këtu, koloneli Çelikkanat tha se janë shumë krenarë që po realizojnë projekte në fushën e arsimit për të ndihmuar Kosovën të arrijë një të ardhme të ndritur.

Çelikkanat theksoi se kanë ndërmarrë shumë projekte të suksesshme për të ofruar mundësitë e nevojshme për fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës.

“Jemi shumë krenarë dhe të lumtur që përmes këtyre projekteve që kemi zbatuar, forcojmë miqësinë tonë shekullore dhe marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën”, tha ai.

Ministri Damka shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e sinqertë dhe të qëndrueshme të Türkiyes për Kosovën.

“Ky park nuk është vetëm një kënd lojrash, por edhe simbol i dashurisë dhe mbështetjes së Türkiyes për popullin e Kosovës”, tha Damka.

Pas fjalimeve, ceremonia përfundoi me prerjen e shiritit të hapjes së këndit të lojërave të shkollës fillore “Samidin Emini”.

Ushtarët turq në kuadër të KFOR-it kanë shërbyer si paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi