Urdhri mbërriti nga Uashingtoni: Disa persona po largohen nga baza amerikane në Katar

Disa personave u është këshilluar që të largohen nga baza ushtarake amerikane Al Udeid në Katar deri të mërkurën në mbrëmje, u kanë thënë Reuters-it tre diplomatë, pas paralajmërimeve nga Uashingtoni se mund të ndërhyjë për të mbrojtur demonstruesit në Iran.

Al Udeid është baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme dhe aty janë të stacionuar rreth 10.000 ushtarë.

“Bëhet fjalë për një ndryshim të përbërjes së personelit, jo për një evakuim të urdhëruar,” tha njëri prej diplomatëve për Reuters. Diplomati shtoi se nuk është në dijeni që për këtë ndryshim të jetë dhënë ndonjë arsye konkrete.

Një zyrtar i lartë iranian kishte deklaruar më herët për Reuters se Teherani i ka paralajmëruar vendet e rajonit se do t’i sulmojë bazat ushtarake amerikane në rast të një sulmi nga Uashingtoni, pasi presidenti Donald Trump kërcënoi me ndërhyrje në Iran.

Edhe vitin e kaluar, më shumë se një javë para se SHBA të kryente sulme ajrore ndaj Iranit, disa pjesëtarë të personelit dhe familjet e tyre u zhvendosën nga bazat amerikane në Lindjen e Mesme.

Pas sulmeve amerikane në qershor, Irani ndërmori një sulm raketor ndaj bazës në Katar, por nuk u shënuan dëme të mëdha.

Kategoritë
BotaLajme