Presidenti Zelenskyy deklaroi se që nga fillimi i së mërkurës, forcat ruse kanë përdorur më shumë se 1.560 dronë kundër Ukrainës
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave i Ukrainës ka njoftuar se të paktën shtatë persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi ajror në shkallë të gjerë nga Rusia kundër Ukrainës, transmeton Anadolu.
“Numri i viktimave në kryeqytet (Kiev) tashmë është rritur në shtatë. Paraprakisht, 17 persona konsiderohen të zhdukur. Numri i të plagosurve është rritur në 44”, u tha gazetarëve në Kiev zëdhënësi i shërbimit, Pavlo Petrov.
Veçmas, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se të paktën 40 persona u plagosën në kryeqytetin ukrainas, duke shtuar se shtatë të tjerë u plagosën në rajonin e Kievit, 28 në Kharkiv dhe dy në rajonin e Odesës.
Në një tjetër postim në Telegram, Zelenskyy tha se Rusia lëshoi gjatë natës më shumë se 670 dronë sulmues dhe 56 raketa kundër Ukrainës.
“Pati sulme me raketa balistike, aerobalistike dhe raketa lundruese. Objektivi kryesor i këtij sulmi ishte Kievi”, tha ai.
“Shkatërrime u regjistruan gjithashtu në rajonin e Kievit, ndërsa sulme të ngjashme terroriste shënjestruan infrastrukturën energjetike në Kremenchuk, si dhe objekte portuale dhe ndërtesa banimi në Chornomorsk”, shtoi Zelenskyy.
Ai deklaroi se që nga fillimi i së mërkurës, forcat ruse kanë përdorur më shumë se 1.560 dronë kundër Ukrainës.
Raportohet gjithashtu se një grua u vra në Kherson, ndërsa autoritetet lokale thanë se automjetet e një misioni humanitar të OKB-së kishin rënë nën zjarr.
OKB-ja ende nuk ka komentuar mbi pretendimet e Ukrainës lidhur me sulmin ndaj autokolonës.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi kryerjen e sulmeve masive ajrore gjatë natës, duke pretenduar se kishte në shënjestër infrastrukturën ushtarake të Ukrainës në përgjigje të sulmeve të Kievit ndaj infrastrukturës energjetike ruse.









