Turqia garanton transportin e gazit rus për Hungarinë, Orbán lavdëron Erdoganin: “Pa ju, jeta këtu do të ishte e padurueshme”

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, janë dakorduar që Turqia do të garantojë vazhdimin e rrjedhës së gazit rus drejt Hungarisë.

Hungaria ka ruajtur varësinë e saj nga energjia ruse që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, gjë që ka shkaktuar kritika nga disa aleatë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Në vitin 2021, Budapesti dhe Moska nënshkruan një kontratë 15-vjeçare për blerjen e 4.5 miliardë metrave kub gaz në vit. Vitin e kaluar, Hungaria e rriti edhe më shumë importin, duke sjellë rreth 7.5 miliardë metra kub gaz rus përmes gazsjellësit TurkStream.

“U dakorduam sot me Presidentin që ju, Turqia, do të garantoni rrugën për ta transportuar gazin nga Rusia në Hungari”, tha Orbán në një konferencë për shtyp në Turqi, e transmetuar nga kanali shtetëror M1.

Ai shtoi se Hungaria ka pranuar 7.5 miliardë metra kub gaz përmes TurkStream vetëm këtë vit.

Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara i dhanë Hungarisë një përjashtim njëvjeçar nga sanksionet amerikane për përdorimin e naftës dhe gazit rus, pasi Orbán kishte kërkuar përjashtim gjatë një takimi miqësor me presidentin Donald Trump në Washington.

“Pa Turqinë që e mbron Evropën nga jugu, jeta në Hungari dhe në gjithë Evropën do të ishte e pamundur. Do të mbyteshim nga migracioni ilegal — kjo është parandaluar falë Turqisë”, deklaroi kryeministri hungarez duke folur për çështjen e migracionit.

Kategoritë
BotaLajme