Turqia bën një lëvizje kyçe: Pse stabiliteti i Iranit është bërë çështja numër një për Ankaranë

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Turqisë (MGK) mbajti të mërkurën një mbledhje të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, ku u diskutuan çështje kyçe rajonale dhe globale, me fokus të veçantë te Irani, Siria dhe Gaza.

Në deklaratën e publikuar pas mbledhjes, Këshilli theksoi se stabiliteti dhe paqja në Iran janë jetike për sigurinë më të gjerë rajonale. Gjatë takimit u analizuan zhvillimet politike, ushtarake dhe ekonomike të vitit 2025, si dhe u përcaktuan hapat strategjikë dhe masat që Turqia do të ndërmarrë në vitin 2026 për ruajtjen e sigurisë kombëtare.

Mbështetje për integritetin territorial të Sirisë dhe rindërtimin e Gazës

Këshilli rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur për përpjekjet e Sirisë në ruajtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe unitetit politik. Vëmendje e veçantë iu kushtua krizës humanitare në Palestinë.

Anëtarët e Këshillit u informuan për operacionet e suksesshme kundër organizatave terroriste si PKK/KCK-PYD/YPG, FETÖ dhe ISIS, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Gjithashtu u theksua mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Somalisë. Ankara deklaroi se do të vazhdojë të përmbushë “detyrimet vëllazërore” në luftën e popullit somalez kundër terrorizmit.

U diskutua edhe situata aktuale e luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Këshilli u bëri thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi që pasojat e konfliktit të mos rrezikojnë stabilitetin në pellgun e Detit të Zi.

“Në deklaratë thuhet se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës që rrit rreziqet globale dhe do të punojë për përcaktimin e shpejtë të kushteve për një paqe të qëndrueshme.”

Në përfundim, u theksua se Turqia në vitin 2026 do të vazhdojë diplomacinë e saj shumëdimensionale, me synimin për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në zonat e krizës nga fqinjësia e drejtpërdrejtë deri në Azi, Afrikë dhe Evropë.

Ky mesazh i Këshillit turk vjen në kulmin e tensioneve më të rënda mes Uashingtonit dhe Teheranit në vitet e fundit. Ndërsa presidenti amerikan Donald Trump paralajmëron ndërhyrje ushtarake dhe dërgon flotën detare drejt brigjeve iraniane, shefi i diplomacisë turke Hakan Fidan ka paralajmëruar se një sulm ndaj Iranit do të ishte “një gabim katastrofal”.

Fidan u ka përcjellë së fundmi partnerëve amerikanë se Irani nuk duhet të shndërrohet në “një Venezuelë të re”, duke theksuar se Ankaraja nuk do të qëndrojë indiferente ndaj përpjekjeve për destabilizimin e fqinjit të saj të drejtpërdrejtë.

Më vonë, kreu i diplomacisë turke shtoi se një konflikt i ri me Iranin do të ishte një gabim i madh, duke theksuar se Teherani është i gatshëm të rikthehet në negociatat për programin bërthamor.

Kategoritë
BotaLajme