



Sipas kryeprokurorit të Stambollit, janë kryer aksione të gjera policore në 124 adresa në mbarë qytetin. Gjatë operacionit janë sekuestruar armë zjarri, municion dhe “dokumente organizative”.
Zyrtarët bënë të ditur se mbështetësit e IS-it kishin planifikuar në mënyrë aktive sulme në mbarë Turqinë gjatë kësaj jave, veçanërisht kundër personave që nuk i përkasin fesë islame.
Policia ka arrestuar 115 të dyshuar, ndërsa kërkimi për edhe 22 persona të tjerë vazhdon, thuhet në njoftim.
Prokuroria shtoi se të dyshuarit kishin qenë në kontakt me operativë të IS-it jashtë Turqisë.
Ky lajm vjen dy ditë pasi shërbimet turke të inteligjencës kryen aksione kundër këtij grupi në zonën kufitare afganisto-pakistaneze.
Një shtetas turk, i dyshuar se ka pasur rol të rëndësishëm në një degë rajonale të IS-it, është ndaluar dhe akuzuar për planifikim sulmesh ndaj civilëve.
Shërbimet e sigurisë turke monitorojnë rregullisht persona të dyshuar për lidhje me IS-in.
Turqia ndan një kufi prej rreth 900 kilometrash me Sirinë, ku grupi ende vepron në disa zona.
Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, i cili ka lidhje të ngushta me qeverinë turke, ka premtuar bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për çrrënjosjen e elementeve të mbetura të IS-it.
Shtetet e Bashkuara ditë më parë nisën një valë sulmesh ndaj pozicioneve të grupit në Siri, si përgjigje ndaj vrasjes së tre amerikanëve.
Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil u vranë më herët këtë muaj nga sulmues të armatosur të IS-it.