Trump zotohet për rritjen e tarifave në 25 për qind për makinat dhe kamionët e importuar nga BE-ja javën e ardhshme

Presidenti amerikan tha se automjetet e prodhuara në SHBA nuk do të përballen me tarifa, duke u bërë thirrje prodhuesve të huaj të zhvendosin prodhimin në territorin amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Washingtoni do të rrisë tarifat në 25 për qind për makinat dhe kamionët e importuar nga Bashkimi Evropian (BE) duke filluar nga java e ardhshme, duke e akuzuar bllokun se nuk po respekton një marrëveshje tregtare të mëparshme, transmeton Anadolu.

“Jam i kënaqur të njoftoj se, duke u bazuar në faktin që BE-ja nuk po e respekton marrëveshjen tonë plotësisht të dakorduar tregtare, javën e ardhshme do të rris tarifat ndaj BE-së për makinat dhe kamionët që vijnë në SHBA”, tha Trump në një postim në platformën e tij sociale Truth Social.

Ai shtoi se automjetet e prodhuara në SHBA nuk do të përballen me tarifa, duke u bërë thirrje prodhuesve të huaj të zhvendosin prodhimin në territorin amerikan.

“Është plotësisht e kuptuar dhe e dakorduar që, nëse ata prodhojnë makina dhe kamionë në fabrikat në SHBA, nuk do të ketë tarifa”, tha ai.

Trump gjithashtu pretendoi se më shumë se 100 miliardë dollarë po investohen në fabrika të reja të automobilave dhe kamionëve në vend, duke e quajtur këtë nivel investimi rekord për sektorin.

“Deri më tani nuk ka pasur asgjë si ajo që po ndodh në Amerikë sot”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme