Presidenti amerikan Donald Trump u drejtua në platformën Truth Social, ku konfirmoi se sulmi i mëngjesit ndaj Izraelit u krye me forca të përbashkëta nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Sipas tij, Irani po zhvillon “aktivitete kërcënuese që rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ushtarët amerikanë, bazat jashtë vendit dhe aleatët në mbarë botën”.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme që vijnë nga regjimi iranian, një grup i pamëshirshëm njerëzish shumë të rrezikshëm dhe të frikshëm”, tha Trump.
Ai shtoi se regjimi iranian brohoret “vdekje Amerikës” dhe se po zhvillon një fushatë të pandërprerë gjakderdhjeje dhe vrasjesh masive, duke shënjestruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po zhvillon një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar këtë diktaturë shumë të keqe dhe radikale që të kërcënojë Amerikën dhe interesat tona kyçe të sigurisë kombëtare. Ne do t’i shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre raketore me tokën”, tha Trump.
Ai deklaroi se Irani ka punuar për rindërtimin e programit të tij bërthamor pas bombardimit amerikan të objekteve të tij bërthamore në qershor.
“Ata refuzuan çdo mundësi për të hequr dorë nga ambiciet e tyre bërthamore dhe këtë nuk mund ta tolerojmë më”, shtoi Trump.


















