



Trump u ka treguar republikanëve të mbledhur se si e ka detyruar Parisin të pranojë trefishimin e çmimeve të barnave, duke kërcënuar me rritjen e tarifave doganore për të gjithë importin francez në Shtetet e Bashkuara.
Lideri amerikan tha se SHBA-ja prej dekadash subvencionon shëndetësinë globale dhe pretendoi se politika e tij e “kombit më të favorizuar” i ka detyruar vendet të respektojnë marrëveshjet me shpejtësi.
Duke iu drejtuar ligjvënësve republikanë, Trump pohoi se i kishte kërkuar liderit francez të rrisë pagesat për barnat me recetë, pasi amerikanët paguajnë “14 herë” më shumë se konsumatorët francezë — një propozim që presidenti francez fillimisht e kishte refuzuar.
Teksa rrëfente bisedën, Trump imitoi mënyrën e të folurit të Macronit:
“Donalddd, kemi marrëveshje. Do të doja t’i rris çmimet e barnave me recetë për 200 për qind ose sa të duash. Çfarëdo që të duash, Donald, vetëm të lutem mos ia thuaj popullit, të lutem,” tha Trump.
Sipas Trumpit, tarifa me të cilën ai kërcënoi Francën ishte “42 herë më e shtrenjtë” se ajo që kërkonte. Duke pranuar kërkesën e tij, Franca i rriti çmimet e barnave nga 10 dollarë për tabletë në 30 dollarë, ndërsa çmimet në SHBA ranë.
Në bisedat me vende të tjera, Trump pretendoi se liderët e huaj, mesatarisht brenda 3,2 minutave pas kërcënimeve me tarifa doganore, janë pajtuar që t’i katërfishojnë çmimet e barnave.