Arabia Saudite pretendon se disponon rezerva minerale me vlerë 2.5 trilionë dollarë dhe po zgjeron me ritme të shpejta sektorin e minierave për të reduktuar varësinë nga nafta, për të forcuar ndikimin gjeopolitik dhe për të zënë një rol të rëndësishëm në zinxhirin global të mineraleve kritike.
Në sfondin e garës gjithnjë e më intensive globale për minerale kritike dhe toka të rralla – prodhimin e të cilave aktualisht e dominon Kina – Arabia Saudite synon të ndërtojë një sektor të fuqishëm minerar për të diversifikuar ekonominë dhe për të rritur ndikimin ndërkombëtar.
Mineralet e tokës së rrallë dhe mineralet e tjera kyçe përbëjnë bazën e teknologjive si burimet e rinovueshme të energjisë, pajisjet ushtarake të avancuara dhe inteligjenca artificiale. Kina kontrollon më shumë se 90 për qind të prodhimit botëror të elementeve të rafinuara të tokës së rrallë dhe mbi 60 për qind të nxjerrjes minerare.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës së Mineraleve pranë SAFE (Securing America’s Future Energy), Abigail Hunter, e përshkroi Kinën si “vite dritë përpara” Shteteve të Bashkuara, falë “dekadave investimesh strategjike, projekteve të mbështetura nga shteti, koordinimit me sektorin privat dhe investimeve ndërkombëtare”. Njëkohësisht, ajo theksoi se Arabia Saudite po ndërton me shpejtësi sektorin e saj minerar për t’iu përgjigjur këtij dominimi.
Autoritetet saudite bëjnë të ditur se vendi zotëron rezerva minerale me vlerë rreth 2.5 trilionë dollarë. Mes tyre janë ari, zinku, bakri dhe litiumi, por edhe depozita të konsiderueshme të elementeve të tokës së rrallë si disprozi, terbiumi, neodimi dhe prazeodimi, të cilët përdoren në automjete elektrike, turbina ere si dhe në teknologjitë e llogaritjes me shpejtësi të lartë.
Sipas të dhënave të S&P Global, buxheti i Arabisë Saudite për eksplorimin minerar është rritur me 595 për qind në periudhën 2021–2025, megjithëse mbetet më i ulët krahasuar me shtete udhëheqëse në këtë sektor si Kanadaja dhe Australia. Dhënia e licencave për zona të reja shfrytëzimi për kompani vendore dhe ndërkombëtare po përshpejtohet, duke treguar synimin për të aktivizuar sa më shpejt vendburime të reja.
Për të arritur aktorët tashmë të konsoliduar, Arabia Saudite po thjeshton procedurat administrative, po ul normat tatimore për investimet në miniera dhe po planifikon investime të mëdha publike.
Edhe pse vlera e vlerësuar e burimeve minerale saudite nuk mund të krahasohet ende me vlerën e naftës – ku Arabia Saudite zotëron një nga rezervat më të mëdha të provuara në botë – autoritetet theksojnë edhe arsye të tjera për investimet e përshpejtuara në këtë sektor. Në vizionin zhvillimor të vendit, të njohur si Vision 2030, minierat janë përcaktuar si një nga shtyllat kryesore të transformimit ekonomik.
Plani Vision 2030 përfshin jo vetëm shfrytëzimin e mineraleve, por edhe ndërtimin e të gjithë zinxhirit të furnizimit për industrinë vendase. Arabia Saudite tashmë ka vendosur objektiva ambiciozë për prodhimin e automjeteve elektrike, me qëllim rritjen e vlerës së shtuar brenda vendit dhe reduktimin e importit të produkteve të gatshme.











