Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pranë qytetit gjerman Braunschweig, ku kanë humbur jetën tre persona – një 34-vjeçar nga Serbia dhe dy shtetas kroatë të moshës 25 dhe 31 vjeç.
Sipas njoftimit të policisë gjermane, viktimat ishin shoferi dhe dy pasagjerët e tij, të cilët vdiqën pasi automjeti doli nga ura dhe përfundoi në kanalin Mittelland. Hetimet paraprake tregojnë se shoferi kishte tentuar të shmangte një kontroll policor në autostradën A2. Ai shtoi shpejtësinë dhe u largua me vrull, pas së cilës patrulla e humbi nga sytë. Dhjetë minuta më vonë, policia mori njoftimet për aksidentin fatal.
Gjatë arratisjes, shoferi po lëvizte me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, duke parakaluar nga ana e djathtë dhe duke prekur automjete të tjera. Në një segment të rrugës, ai u përplas me gardhin mbrojtës, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas drejtpërdrejt me një automjet tjetër. Si pasojë e goditjes së fortë, makina e tij theu barrierën e urës dhe ra në kanal.
Në makinën tjetër ndodheshin një grua 47-vjeçare dhe një burrë 53-vjeçar nga Hamburgu. Gruaja pësoi lëndime të rënda, por jashtë rrezikut për jetën, ndërsa burri u transportua me helikopter në spital, ku gjendja e tij mbetet kritike.
Për nxjerrjen e automjetit nga kanali u përdor një anije speciale, dhe automjeti u sekuestrua për hetime të mëtejshme. Policia është në pritje të raportit të ekspertëve teknikë për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit, ndërsa prokuroria do të vendosë nëse do të kryhet autopsia e viktimave.
Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrjedhën e saktë të ngjarjeve dhe arsyet pse shoferi tentoi t’i shpëtonte kontrollit policor.

















