Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, me të cilën më pas kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media.
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova është burim stabiliteti në situata kur kërkohet të krijohet tension e konflikt, shkruan Reporteri.net.
Ajo ka theksuar se pavarësisht tendencave destabilizuese, Kosova do të vazhdojë përpara.
“Republika e Kosovës është një dritë shprese dhe burim stabiliteti në një kohë kur orekset për destabilitet, për tension e konflikt janë gjithnjë në rritje në kontinentin tonë. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për promovim të qeverisjes së mirë, efektive e gjithëpërfshirëse, dhe avancim të vazhdueshëm të demokracisë pavarësisht sfidave dhe tendencave destabilizuese nga autokratët dhe satelitët e tyre”, tha sot ajo pas takimit me administratoren e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power.
E para e shtetit në një konferencë për media pas takimit me Power, deklaroi se kontributi i USAID-it është shembull i përkushtimit të Amerikës për Kosovën.
“Kontributi i USAID-it është një nga shembujt më të fortë të përkushtimit të palëkundur të SHBA-ve për ta ndihmuar Kosovën drejtë suksese, për më shumë se dy dekada na kanë qëndruar pranë duke mbështetur gratë, rininë, bizneset si dhe kanë ndihmuar përpjekjet tona për ta forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit” u shpreh Osmani.
Ajo mes tjerash, ka vlerësuar edhe shpalljen e ankandit të parë për parkun me energji solare me kapacitet prej 100MW.
“Ndërsa nga dje na ndihmuan të bëjmë një hap të sigurtë në rrugën tonë të tranzicionit energjik”, tha Osmani.
Tutje, Osmani tha se ka kënaqësi të veçantë që të pres Power pas 24 vjetësh në Kosovë.
“Për Kosovën dhe qytetarët e saj ju keni qenë dhe mbeteni një mike e çmuar siç është gjithnjë në kënaqësi e jashtëzakonshme të presim miqtë tanë nga ShBA-ja veçanërisht kur presim miq që kanë lidhje kaq të forta me popullin tonë dhe kuptojnë historinë tonë e rrugëtimin tonë pakompromis drejt një shtetit të pavarur e demokracie të fortë”.
“Sot administratorja Power viziton Republikën e Kosovës si udhëheqëse e USAID, 24 vjet pas luftës që ishte si reportere e luftës duke raportuar të vërtetën e popullit tonë” u shpreh Osmani.
Kurse administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka thënë se themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë procesit të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Ajo ka theksuar se Kosova është për normalizimin e raporteve, duke inkurajuar përshpejtimin e procesit i cili, siç ka deklaruar, do të sjell shumë përfitime për të dyja vendet.
“Biseduam për përparimin në normalizimin e raporteve me Serbinë, kompleksiteti i këtij dialogu të gjithë e kanë parasysh. Kam dëgjuar vazhdimisht se kosovarët besojnë se kjo është rruga e duhur që duhet të vijojë vendi i tyre. Në takimet me kryeministrin dhe Osmanin kam theksuar mbështetjen e fuqishme të SHBA-së për normalizim dhe kam inkurajuar që Kosova dhe Serbia të intensifikojnë përpjekjet që ta shpejtojnë rrugën drejt normalizimit. Themelimi i Asociacionit do t’i ndihmojë normalizimit të raporteve dhe zhvillimit ekonomik dhe biznesit”, ka thënë Power.
Ajo më tej shtoi se Kosova ka ndryshuar aq shumë që nga hera e fundit që kishte qenë ajo në vitin 1999.
“Është vështirë që të gjej fjalët që të shpreh se në çmasë ka ndryshuar Kosova prej që kam qenë këtu herën e fundit në vitin 1999. Është një Kosovë e ndryshme nga ajo që kam parë herën e fundit, e kjo ka ndodhur si rezultat i në vendosmërie të hekurt të popullit të këtij vendi. Po e lë Kosovën me një optimizëm të madh për të ardhmen e saj, ky vend i ri ka hedhur hapa gjigand gjatë kësaj kohe”, tha Power.
Ndërkaq, Power beri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri më tani kanë dhënë për Kosovën mbi dy miliardë euro.
“Që nga viti 1999 ka arritur shumën e mbi dy miliardë euro dhe do ta ndihmojmë Kosovën që të zë vendin e vet që i takon në mesin e vendeve të integruara euroatlantike”, u shpreh Power.
/Reporteri.net/.








