Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Islamike të Iranit, më saktësisht Zyra e Zëvendësit për Çështje Juridike dhe Ndërkombëtare, u ka dërguar mediave një raport të gjerë mbi ngjarjet që tronditën këtë vend në periudhën nga dhjetori 2025 deri në janar 2026.
Në dokumentin me titull “Nga protestat paqësore te trazirat, aktet e dhunshme dhe terroriste”, Teherani shpjegon rrjedhën e ngjarjeve, duke pohuar se tubimet legjitime të qytetarëve janë keqpërdorur nga grupe të organizuara të huaja, me mbështetjen e shteteve të huaja.
Sipas raportit, protestat nisën të dielën, më 28 dhjetor 2025, në Pazarin e Madh të Teheranit. Shkak ishte rritja e kursit të këmbimit valutor, ndërsa tubimet u inicuan nga tregtarët.
Ministria thekson se këto tubime fillestare ishin “të natyrës paqësore, profesionale dhe të orientuara drejt kërkesave”, dhe se pjesëmarrësit synonin të shprehnin qëndrimet e tyre pa prishur rendin publik.
Megjithatë, situata ndryshoi drastikisht pas disa ditësh. Në raport thuhet se “provokatorët e prirur ndaj dhunës i rrëmbyen protestat e njerëzve lidhur me ekzistencën e tyre dhe i devijuan nga rruga e tyre fillestare”. Sipas autoriteteve iraniane, ngjarjet e mëvonshme zbuluan “një plan të qartë dhe të organizuar për krijimin e trazirave”, i karakterizuar nga shkallë e lartë dhune dhe përdorim armësh.
Akuza për “metoda të ISIS-it” dhe shkatërrim prone
Raporti përshkruan në detaje shkallën e dëmeve materiale dhe dhunës, të cilat autoritetet i cilësojnë si akte terroriste të ngjashme me ato të ISIS-it. Sipas raportit, objektivat e sulmeve kanë qenë institucione shtetërore, private, fetare dhe mjekësore.
Duke u thirrur në të dhënat e kryetarit të Bashkisë së Teheranit, në raport thuhet se vetëm në kryeqytet:
-
Janë shkatërruar ose djegur 42 autobusë dhe automjete të urgjencës
-
Janë sulmuar 10 institucione shtetërore
-
Janë djegur 24 shtëpi banimi
-
Janë shkatërruar ose djegur mbi 70 xhami dhe qendra fetare
Theksohet veçanërisht sulmi ndaj automjeteve të urgjencës që transportonin pacientë, si dhe shkatërrimi i bankave dhe automjeteve të transportit publik. Në përleshje, sipas Ministrisë, kanë pësuar një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve të forcave të rendit dhe civilëve, si pasojë e të shtënave dhe përdorimit të armëve të ftohta.
Roli i forcave të huaja
Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit në dokument akuzon drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe regjimin sionist për mbështetje të trazirave.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende perëndimore, duke përdorur të gjitha kapacitetet e tyre, janë angazhuar në veprime plotësisht jokonvencionale dhe janë ndërhyrë hapur në punët e brendshme të Iranit,” thuhet në raport. Teherani pretendon se disa media të lidhura me “vendet armike” kanë nxitur dhunën.
Autoritetet iraniane në raport theksojnë përkushtimin e tyre ndaj Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike (ICCPR) dhe të drejtës për tubim paqësor. Megjithatë, ata sqarojnë se djegia e pronës dhe sulmet ndaj personave zyrtarë nuk mund të konsiderohen protestë paqësore.
Në përfundim thuhet se politika e Republikës Islamike të Iranit është bazuar në “përdorim minimal të forcës”, ndërsa nga ana tjetër, provokatorët kanë përdorur “dhunë maksimale”, duke i çuar trazirat në një “fazë ushtarake dhe të armatosur”.










