Sulmi ndaj Iranit paralizoi trafikun ajror në Lindjen e Mesme dhe më gjerë, shumë aeroporte u mbyllën

Sulmi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit ka çrregulluar trafikun ajror në të gjithë rajonin dhe përtej tij.

Emiratet e Bashkuara Arabe, seli e kompanive ajrore të fluturimeve të gjata Emirates dhe Etihad, si dhe Izraeli, e mbyllën të shtunën hapësirën e tyre ajrore. Grupi Qatar Airways njoftoi se ka anuluar përkohësisht fluturimet drejt dhe nga Doha, pasi edhe hapësira ajrore e Katarit u mbyll.

Avionët që ishin nisur drejt Izraelit u devijuan në aeroporte të tjera, ndërsa pasagjerët që prisnin fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar Ben Gurion u kthyen mbrapsht.

Emirates bëri të ditur se disa nga fluturimet e saj janë prekur nga mbyllja e hapësirës ajrore të Emirateve, duke u bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë online statusin e fluturimeve. Kompania operon nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait, një nga nyjet më të ngarkuara për udhëtime ndërkombëtare.

Kompania ajrore holandeze KLM kishte njoftuar më herët gjatë javës se nga e diela do të pezullonte fluturimet drejt dhe nga Tel Avivi.

Virgin Atlantic anuloi një fluturim nga aeroporti Heathrow i Londrës drejt Dubait dhe njoftoi se do të shmangë fluturimet mbi Irak, çka do të thotë se udhëtimet drejt dhe nga India, Maldivet, Dubai dhe Rijadi mund të zgjasin më shumë. Kompania tashmë nuk fluturonte mbi Iranin. Virgin Atlantic deklaroi se të gjitha fluturimet do të kenë karburant të mjaftueshëm në rast të nevojës për devijim të shpejtë.

Turkish Airlines njoftoi në platformën X se fluturimet drejt Libanit, Sirisë, Irakut, Iranit dhe Jordanisë do të pezullohen deri të hënën, ndërsa fluturimet drejt Katarit, Kuvajtit, Bahreinit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Omanit do të pezullohen të shtunën. Kompania paralajmëroi se janë të mundshme edhe anulime të tjera shtesë.

Kategoritë
BotaLajme