Izraeli pretendon se sulmet kishin në shënjestër operativët e Hezbollahut, ndërkohë nuk ka komente nga grupi
Dy persona u vranë të mërkurën në sulme të ndara ajrore izraelite që goditën automjete në Libanin jugor, duke shënuar një shkelje të re të një marrëveshjeje armëpushimi në fuqi që nga nëntori i vitit 2024, transmeton Anadolu.
Agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit NNA tha se një sulm me dron izraelit goditi një makinë në rrugën Zahrani-Msayleh në lagjen Zahrani në jug të vendit, duke vrarë një person.
Një tjetër dron izraelit shënjestroi një automjet në rrugën Bazouriyeh-Burj al-Shimali në lagjen Tyre, duke lënë të vdekur një civil tjetër, tha Ministria e Shëndetësisë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, pretendoi në platformën e mediave sociale të kompanisë amerikane X se sulmet kishin në shënjestër dy operativë të Hezbollahut në zonën e Sidonit dhe në Burj al-Shimali.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Hezbollahu ose qeveria libaneze mbi sulmet.
Shkeljet e armëpushimit izraelit kanë vrarë dhe plagosur qindra libanezë, ndërsa Izraeli vazhdon të pushtojë pesë maja kodrash libaneze të pushtuara gjatë luftës së fundit, përveç zonave të tjera që i ka mbajtur për dekada të tëra.
Izraeli filloi operacionet ushtarake kundër Libanit në tetor 2023 dhe i përshkallëzoi ato në një luftë në shkallë të plotë në shtator 2024, duke vrarë më shumë se 4.000 njerëz dhe duke plagosur rreth 17.000 të tjerë.
Përtej zonave të pushtuara libaneze, Izraeli gjithashtu pushton territor në Siri dhe Palestinë dhe ka refuzuar tërheqjen dhe krijimin e një shteti palestinez.










