Suedia heq dorë nga dëbimi i fëmijës Boshnjak me autizëm,Raif Terziç

Suedia më në fund ka vendosur t’i lejojë katërvjeçarit Raif Terzić të qëndrojë me familjen e tij në Malmö. Kështu ka marrë fund një dramë e vërtetë e shkaktuar nga burokracia.

Raifi, i cili vuan nga autizmi dhe çrregullime në të folur, ishte planifikuar të dërgohej për disa muaj jashtë Suedisë për të përmbushur kushtet që të aplikonte për leje kthimi. Kjo do të thoshte që vëllezërit dhe nëna e tij do të mbeteshin në Suedi, ndërsa ai do të duhej të shkonte me babain në Bosnje dhe Hercegovinë.

Megjithatë, pas dy muajsh Administrata Suedeze e Migracionit vendosi që dëbimi të mos zbatohet dhe Raifit iu dha një leje qëndrimi e përkohshme prej 13 muajsh.

“Pas kësaj periudhe, prindërit mund të kërkojnë vazhdim të lejes,” tha zëdhënësi i Administratës së Migracionit, Jesper Tengroth, për gazetën suedeze Dagens Nyheter.

Problemet e familjes Terzić nisën në nëntor të vitit 2025, kur Raifi dhe babai i tij Haris u thirrën në një takim në Agjencinë e Migracionit. Harisi nuk ishte aspak i përgatitur për lajmin që mori: aplikimi i fundit i Raifit ishte refuzuar dhe ishte vendosur largimi i tij nga vendi.

Edhe pse Raifi kishte lindur në Suedi në vitin 2021, ai nuk mori shtetësi. Familja jeton në Malmö dhe si nëna ashtu edhe babai kishin qëndrim të përhershëm në Suedi.

Kur Raifi ishte vetëm disa muajsh, babai i tij u bë shtetas suedez. Prindërit aplikuan dy herë për shtetësi suedeze edhe për Raifin, por kërkesat u refuzuan. Më pas kërkuan leje qëndrimi. Faktri që Raifi nuk kishte pasaportë ishte vendimtar për Administratën e Migracionit.

Administrata Suedeze e Migracionit vlerësoi se Raifi fillimisht duhet të pajiset me shtetësi dhe pasaportë të Bosnje dhe Hercegovinës — ashtu siç kishte babai i tij në momentin e lindjes së Raifit. Më pas këto dokumente do të mund t’i përdorte për aplikim për leje qëndrimi ose shtetësi suedeze.

Në rast u përfshi edhe Ambasada e Bosnje dhe Hercegovinës në Suedi, e cila konstatoi se problemet kishin lindur për shkak se fëmija nuk ishte regjistruar me kohë në librat amë të lindjeve dhe të shtetasve të Bosnje dhe Hercegovinës.

Në deklaratë thuhet:

“Prindërit e të miturit Raif Terzić kanë fituar shtetësinë e Mbretërisë së Suedisë pas lindjes së tij. Duke qenë se fëmija nuk ishte regjistruar me kohë në librat amë të lindjeve dhe të shtetasve të Bosnje dhe Hercegovinës — gjë që përbën parakusht për procedurat e mëtejshme lidhur me rregullimin e statusit të shtetësisë — është krijuar një vakum juridik që, sipas informacioneve të disponueshme, ka çuar në situatën aktuale.”

Kategoritë
BotaLajme