Stano për takimin në Bruksel: Gjithçka varet nga gatishmëria e Kurtit dhe Vucicit

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, ka thënë të hënën se blloku evropian pret qasje evropiane nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksadanar Vuçiq, në rrugën drejt marrëveshjes finale.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen në pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja.

I pyetur për pritjet nga ky takim, Stano ka thënë se nuk mund të parashikohet diçka e tillë.

Ai ka theksuar se BE-ja është vetëm ndërmjetësuese në dialog dhe se përparimi varet nga gatishmëria e palëve.

“Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve, shefat negociatorë, përfaqësuesit, është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”.

“Përparimi arrihet përmes kompromiseve, angazhimit konstruktiv dhe të kuptuarit se kjo është mënyra e vetme për të përmbushur synimet e tyre strategjike”.

Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.

Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.

Departamenti amerikan i Shtetit, i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë paraqet mundësi për popujt e të dyja vendeve, për të rritur sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Pikë debati pritet të jetë vetëm një aneks për implementimin e pikave të marrëveshjes.

Përveç propozimit të BE-së, Departamenti amerikan i Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në kuadër të dialogut.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi./REL

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi