Spanjollët ngrenë zërin kundër sulmeve ndaj Venezuelës, mesazh i ashpër nga një politikane: Duhet të ndërpresim të gjitha lidhjet me SHBA-të

Politikania spanjolle Irene Montero reagoi ndaj sulmeve të SHBA-ve ndaj Venezuelës, duke i drejtuar një mesazh të ashpër administratës së Donald Trumpit.

Montero, e njohur në Spanjë për qëndrimet e saj të majta dhe për faktin se për një periudhë ka shërbyer edhe si ministre në qeverinë e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë një rrezik të madh.

“Trump po bombardon Venezuelën. Shtetet e Bashkuara paraqesin rrezik. Ose do t’i ndalim, ose do të shkatërrojnë gjithçka. Spanja është një vend paqësor dhe qeveria duhet të ndërpresë të gjitha aleancat me SHBA-të, duke filluar nga NATO. E gjithë mbështetja ime për Venezuelën. Edhe një herë: mjaft më me luftëra për naftë”, deklaroi Montero.

CBS raportoi e para se kishte marrë konfirmim nga një zyrtar amerikan se sulmet ndaj Venezuelës janë urdhëruar nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Gjatë natës kanë nisur sulme ajrore në disa lokacione në mbarë Venezuelën, ndërsa vetëm në kryeqytetin Caracas, sipas raportimeve mediatike, janë dëgjuar shtatë shpërthime të fuqishme.

Kategoritë
BotaLajme