Spanjë, dhjetëra të vdekur nga përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë

Spanjë, dhjetëra të vdekur nga përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë

Dhjetëra persona humbën jetën sot kur dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën në Spanjën qendrore, njoftoi transmetuesi publik spanjoll RTVE.

Burime qeveritare thanë për RTVE-së se të paktën 30 persona kanë vdekur. E përditshmja spanjolle “El Espanol” raportoi për të paktën 46 të vdekur, duke iu referuar burimeve nga qeveria rajonale.

Fillimisht, burime qeveritare i thanë gazetës “El Pais” se kanë frikë se katastrofa mund të jetë “më e rëndë se ajo në Adamuz”, duke iu referuar një përplasjeje trenash me shpejtësi të lartë në janar në jug të Spanjës, ku humbën jetën 46 persona. Autoritetet ende nuk kanë njoftuar një shifër zyrtare për numrin e të vdekurve apo të të lënduarve.

Informacionet paraprake nga Ministria e Transportit sugjerojnë se një tren “Renfe AVE” goditi pjesën e pasme të një treni “Iryo” që ndodhej i palëvizshëm. Sipas shërbimeve të urgjencës, dy vagonë ​​dolën nga shinat dhe ranë poshtë një argjinature.

Trenat “Iryo” dhe “Renfe” transportonin përkatësisht 147 dhe 397 pasagjerë, tha një zëdhënës i qeverisë rajonale. “Kishte njerëz të vdekur nën trena. Shumë njerëz nuk mund të dilnin, dëgjoheshin britma, ishte e tmerrshme”, tha Eduarda, një pasagjere në trenin “Iryo”, për stacionin radiofonik spanjoll “Cadena SER”.

Aksidenti i së mërkurës ndodhi pranë stacionit “Urda”, në provincën Toledo, rreth orës 08:54 me orën lokale. Operatori i infrastrukturës hekurudhore “Adif” bëri të ditur se të dy trenat e përfshirë në aksident po kryenin shërbime në linjën Madrid-Seville. Lidhjet hekurudhore midis Madridit, Ciudad Real-it dhe Andaluzisë janë pezulluar.

Në vendngjarje janë dërguar ekipe emergjence, përfshirë zjarrfikës dhe helikopterë mjekësorë. Qeveria rajonale e Castilla-La Manchës ka aktivizuar planin e saj të reagimit në raste emergjence.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez anuloi angazhimet e planifikuara për të ndjekur situatën e emergjencës. Presidenti rajonal, Emiliano Garcia-Page njoftoi se po niset drejt vendit të aksidentit ndërsa disa parti politike anuluan aktivitetet e fushatës që ishin planifikuar për sot.

Udhëheqës evropianë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidenten e Parlamentit Evropian Roberta Metsola, kanë shprehur ngushëllimet e tyre. Shkaku i aksidentit mbetet ende nën hetim, megjithëse raportet fillestare tregojnë për një “gabim njerëzor”.

Kategoritë
BotaLajme