Sipas një sondazhi të realizuar nga New York Times (NYT) në bashkëpunim me Universitetin Siena, mes pjesëmarrësve nën 30 vjeç, 68 për qind kanë shprehur kundërshtim ndaj ndihmave shtesë ekonomike ose ushtarake për Izraelin
Një sondazh i zhvilluar në SHBA ka treguar se mbështetja për Izraelin ka rënë ndjeshëm, ndërsa shumica e të anketuarve janë shprehur kundër dërgimit të ndihmave shtesë ekonomike dhe ushtarake për qeverinë e Tel Avivit, transmeton Anadolu.
Sondazhi është realizuar nga New York Times (NYT) në bashkëpunim me Universitetin Siena, nga 22 deri më 27 shtator 2025, me 1.313 të anketuar të regjistruar në mbarë vendin, për të vlerësuar qëndrimet e amerikanëve ndaj Izraelit.
Sipas rezultateve, 51 për qind e të anketuarve kanë thënë se janë kundër dërgimit të ndihmave shtesë ekonomike dhe ushtarake për Izraelin.
Mbështetja për palestinezët ka rezultuar 35 për qind, ndërsa mbështetja për Izraelin ka rënë në 34 për qind. Për krahasim, këto shifra në vitin 2023 ishin përkatësisht 20 për qind për palestinezët dhe 47 për qind për Izraelin.
Mes pjesëmarrësve nën 30 vjeç, 68 për qind kanë shprehur kundërshtim ndaj ndihmave shtesë ekonomike ose ushtarake për Izraelin.
Gjithashtu, 58 për qind e të anketuarve kanë thënë se Izraeli duhet të ndalojë operacionin ushtarak në Gaza për të parandaluar humbjet civile, madje edhe nëse nuk lirohen të gjithë pengjet, ndërsa 40 për qind besojnë se Izraeli po vret civilë qëllimisht në Gaza.
Kjo shifër është pothuajse dyfishuar krahasuar me vitin 2023, kur vetëm 22 për qind mendonin se Izraeli po vret civilë qëllimisht.