



RTV Slovenia, së bashku me Spanjën, Malin e Zi, Holandën, Turqinë, Algjerinë dhe Islandën, kërkuan votim të fshehtë lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit në Eurosong, por ai nuk u mbajt.
Të pranishmit në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Bashkimit Evropian të Radiodifuzionit (EBU) në Gjenevë nuk votuan drejtpërdrejt për pjesëmarrjen e Izraelit, por votuan nëse Asambleja e Përgjithshme duhet të organizojë Eurosong-un sipas skenarit aktual. U miratua skenari sipas të cilit edhe Izraeli do të jetë pjesë e garës.
“Slovenia definitivisht nuk do të marrë pjesë. Spanjollët, holandezët dhe irlandezët gjithashtu definitivisht nuk do të marrin pjesë,” tha për TV Slovenia Natalija Gorščak, kryetare e Bordit Drejtues të RTV Slovenia.
Transmetuesi irlandez RTÉ publikoi një deklaratë lidhur me vendimin e tij për të bojkotuar Eurosong-un vitin e ardhshëm dhe njoftoi se nuk do ta transmetojë garën.
“RTÉ konsideron se pjesëmarrja e Irlandës është ende e papranueshme duke marrë parasysh humbjen e tmerrshme të jetëve në Gaza dhe krizën humanitare që vazhdon të rrezikojë jetën e kaq shumë civilëve. RTÉ mbetet thellësisht i shqetësuar për vrasjen e qëllimshme të gazetarëve në Gaza gjatë konfliktit dhe kufizimin e vazhdueshëm të aksesit për gazetarët ndërkombëtarë në atë territor,” thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se Holanda dhe Spanja më herët kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në Eurosong për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.