Zgjedhësit në Slloveni, në referendumin e mbajtur dje, me shumicë votash kanë refuzuar ligjin për përfundimin e jetës me asistencë mjekësore, duke bërë që ligji i miratuar në parlament në korrik të këtij viti të shfuqizohet.
Sipas rezultateve jozyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, me 99.8% të votave të numëruara, mbi 368 mijë qytetarë – ose 53.4% e atyre që morën pjesë – votuan kundër ligjit. Ndërsa për ligjin votuan më shumë se 321 mijë votues, përkatësisht 46.6%.
Me këtë rezultat u përmbush edhe kuorumi ligjor, pasi për rrëzimin e ligjit duhej të votonin kundër të paktën 339.205 qytetarë. Në referendum morën pjesë 40.91% e gjithsej 1.7 milion votuesve me të drejtë vote.
Në shumicën e njësive zgjedhore ligji është refuzuar, ndërsa përjashtim ka bërë vetëm qendra e Ljubljanës, ku mbështetja për miratimin e tij ka qenë më e lartë. Ky ishte referendumi i 34-t në historinë e Sllovenisë së pavarur. Vendvotimet u mbyllën në orën 19:00, pas së cilës u publikuan të dhënat e para jozyrtare.
Iniciatori i referendumit dhe udhëheqësi i Lëvizjes për Fëmijët, Aleš Primc, e quajti rezultatin “një fitore të madhe të dhembshurisë dhe solidaritetit”.
Ai falënderoi qytetarët, mjekët, bashkësitë fetare dhe partitë politike që mbështetën iniciativën, duke deklaruar se “kultura e jetës ka triumfuar ndaj kulturës së vdekjes”.
Primc tha se mesazhi i zgjedhësve është i qartë dhe se shteti duhet të sigurojë kushte në të cilat të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit do të kenë qasje në kujdes shëndetësor dhe palijativ, e jo të drejtohen drejt përfundimit të jetës me asistencë.
Ligji i rrëzuar parashihte mundësinë e vetëvrasjes së asistuar për pacientë të rritur që plotësojnë kritere të rrepta mjekësore. Pacienti do të duhej ta shprehte dy herë qëllimin te mjeku, pas së cilës kërkesa do të vlerësohej nga një mjek i pavarur dhe një psikiatër. Punonjësit shëndetësorë do të ruanin të drejtën e kundërshtimit moral (prizë së ndërgjegjes).















