Skena bizarre në Bregun Perëndimor: Ministri izraelit i financave vallëzoi me kolonët në oborrin e xhamisë

Ministri izraelit i financave, Bezalel Smotrich, u filmua duke vallëzuar me qindra kolonë në oborrin e Xhamisë së Ibrahimit në Hebron, gjatë festimit të festës “Lag BaOmer”.

Bëhet fjalë për një qytet në jug të Bregut Perëndimor, ku Smotrichit iu bashkuan edhe shumë kolonë izraelitë. Lokacioni është fizikisht i ndarë dhe nën kontroll të shtuar të autoriteteve izraelite, gjë që shpesh çon në incidente.

Bezalel Smotrich njihet për mbështetjen e zgjerimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Kjo xhami e lashtë konsiderohet një nga vendet më të shenjta për islamin, judaizmin dhe krishterimin.

Sipas burimeve palestineze, Izraeli muajt e fundit ka ndërmarrë hapa për të zgjeruar kontrollin mbi këtë lokalitet fetar.

Në janar, administratorëve palestinezë iu ndalua qasja në disa funksione administrative, ndërsa iu morën disa të drejta planifikimi dhe menaxhimi, gjë që palestinezët e konsiderojnë shkelje të marrëveshjeve të mëhershme.

Xhamia, e cila përdoret si vend faljeje islame prej më shumë se 1.400 vitesh, historikisht ka qenë objekt i administrimit të ndarë.

Tensionet në West Bank janë rritur më tej për shkak të sulmeve gjithnjë e më të shpeshta të kolonëve dhe kufizimeve ndaj qasjes së palestinezëve në vendet fetare që nga tetori i vitit 2023.

Kategoritë
BotaLajme