Skandali me këngën serbe për Kosovën në Forumin e BE-së, mediumi bullgar: Marta Kos pretendohet se ishte bashkëpunëtore e UDBA-s

Skandali me këngën serbe për Kosovën në Forumin e BE-së, mediumi bullgar: Marta Kos pretendohet se ishte bashkëpunëtore e UDBA-s

Interpretimi i këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” gjatë koncertit zyrtar të hapjes së Forumit të dytë të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel të dielën shkaktoi polemika të mëdha.

Agjencia bullgare e lajmeve, BGNES, në një artikull kushtuar këtij skandali, i kushtoi vëmendje të veçantë të kaluarës së komisioneres së BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila ishte nikoqire e forumit dhe shprehu keqardhje për këtë.

Polemika në Bruksel vjen në sfondin e një mosmarrëveshjeje politike që po vazhdon lidhur me të kaluarën e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, dhe dëshmitë për bashkëpunimin e saj të pretenduar me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të ish-Jugosllavisë, të njohur si UDBA, shkruan mediumi bullgar.

Në vitin 2026, studiuesi dhe autori slloven Igor Omerza botoi librin “Komisionerja”, në të cilin zbuloi dokumente arkivore që datojnë nga fundi i viteve 1980.

Dokumentet dëshmojnë se Marta Kos bashkëpunoi me policinë sekrete jugosllave.

Omerza thotë se në arkiva shfaqen emrat e koduar “Tara” dhe “Blanka”, të cilët i lidh me komisioneren aktuale europiane.

Libri paraqet pretendime lidhur me kontaktet me shërbimet e sigurisë, dhënien e informacioneve dhe aktivitetet që lidhen me punën e Kos në transmetuesin gjerman Deutsche Welle në Këln.

Sipas materialeve arkivore, ajo fillimisht ishte regjistruar si burim informacioni dhe më pas ishte përcaktuar zyrtarisht si bashkëpunëtore.

Libri u prezantua edhe në Parlamentin Europian, me nismën e eurodeputetes sllovene Romana Tomc, nga Partia Popullore Europiane.

Tomc i parashtroi Komisionit Europian një pyetje me shkrim, duke kërkuar hetimin e pretendimeve të reja dhe të dokumenteve të paraqitura nga Omerza.

Libri i Igor Omerzës shqyrton në hollësi dokumentet që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e Marta Kos me UDBA-në.

 

Kategoritë
BotaLajme