Princesha e kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, është përfshirë në një skandal të ri pasi u publikuan dokumente nga hetimi ndaj Jeffrey Epstein. Dosjet tregojnë se ajo kishte pasur kontakt të vazhdueshëm për vite me radhë me pedofilin e dënuar.
Pakoja më e fundit e dokumenteve të Epstein-it, e publikuar të premten nga United States Department of Justice, përfshin afro 1.000 përmendje të princeshës Mette-Marit.
Sipas gazetës norvegjeze VG, dosjet përmbajnë dhjetëra email-e të shkëmbyera mes tyre, duke sugjeruar se kanë qenë në kontakt nga viti 2011 deri në 2014.
Zbulimet vijnë në një moment shumë delikat për familjen mbretërore. Gjyqi ndaj djalit të Mette-Marit, Marius Borg Høiby, për përdhunim pritet të nisë të martën. Ai ka lindur nga një lidhje para martesës së saj me trashëgimtarin e fronit, Haakon.
Høiby përballet me 38 akuza, përfshirë përdhunimin e dyshuar të katër grave, si dhe sulme dhe vepra penale të lidhura me drogën. Nëse shpallet fajtor, ai mund të dënohet deri në 16 vjet burg. Høiby ka mohuar akuzat më të rënda, përfshirë ato për abuzim seksual.
Të shtunën, Mette-Marit foli publikisht për marrëdhënien e saj me Epstein, i cili kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për krime seksuale ndaj të miturve.
“Kam treguar gjykim të dobët dhe pendohem thellësisht që kam pasur çfarëdo kontakti me Epstein. Është thjesht e turpshme,” tha ajo në një deklaratë të lëshuar nga pallati mbretëror.
Vëmendja e mediave norvegjeze këtë fundjavë u përqendrua te email-et e shumta që princesha kishte shkëmbyer me Epstein, vite pasi ai ishte deklaruar fajtor për akuza që përfshinin nxitjen e prostitucionit të një të miture në Florida.
Mesazhet sugjerojnë një afërsi mes tyre: në një email Mette-Marit i shkruante Epstein-it “ma gudulis trurin”, duke e përshkruar atë si “zemërbutë” dhe “shumë të dashur”.
Në vitin 2012, ajo i tha Epstein-it se ishte “shumë simpatik” dhe e pyeti nëse ishte “e papërshtatshme që një nënë t’i sugjerojë dy gra lakuriqe me dërrasë surfimi si tapet për dhomën e djalit 15-vjeçar”.
Disa javë më herët, ata kishin shkëmbyer email-e për faktin se Epstein ishte “në kërkim të një gruaje” në Paris, ndërsa Mette-Marit iu përgjigj se kryeqyteti francez ishte “i mirë për tradhti bashkëshortore”. Në komunikime përmendeshin rregullisht plane për t’u takuar, ndërsa dosjet tregojnë gjithashtu se ajo kishte qëndruar katër ditë në shtëpinë e tij në Palm Beach, Florida, në vitin 2013 — në një kohë kur Epstein nuk ndodhej aty.
Në reagimin e saj pas publikimit të mesazheve, Mette-Marit shprehu edhe solidaritet të thellë me viktimat e Epstein-it, duke thënë se ndjehet përgjegjëse “që nuk e verifikoi më mirë të kaluarën e tij dhe që nuk e kuptoi mjaft shpejt se çfarë personi ishte”.
Pallati mbretëror bëri të ditur se Mette-Marit e ndërpreu kontaktin me shkrim me Epstein-in në vitin 2014, pasi mendonte se ai “po përpiqej të përdorte marrëdhënien me princeshën e kurorës si mjet ndikimi ndaj njerëzve të tjerë”.


















